Nuk ndalen dorëheqjet në PD e Bashës, ja kush tjeter tërhiqet nga të gjitha funksionet politike (Foto, Emri)

Këshilltarja e Këshillit Bashkiak Bjanka Çopja ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake të PD Elbasan, (fraksioni i Lulzim Bashës). Si një anëtare e Këshillit Bashkiak e ardhur në PD nga shoqëria civile dhe jo nga funksione partiake, Bjanka Çopja ka një kontribut të rëndësishëm në numrin e votave që PD mblodhi në zgjedhjet vendore duke numëruar 7 këshilltarë, rezultati më i mirë në nivel kombëtar. Ajo gjithashtu ka qenë edhe anëtare e Këshillit Kombëtar dhe tërheqja e saj pas sekretarit të kësaj partie Zamir Muzhaqi, që mban edhe postin e nënkryetarit në Këshillin bashkiak, është konsideruar si një tjetër dështim i PD për të mbajtur kontribuesit në zgjedhjet vendore të 2023.

Bjanka Çopja gjithashtu ka luajtur rol në Këshillin Bashkiak me ngritjen e problematikës së kostos së lartë të inceneratorit për sasinë e mbetjeve, mosfunksionimin dhe mungesën e prodhimit të energjisë. E kontaktuar ajo deklaroi se është tërhequr nga funksionet politike të PD për shkak se ka konstatuar mosrespektim të meritës dhe parimeve në proceset brenda partisë. ‘Unë tërhiqem nga funksionet politike për shkak të mungesës së respektimit të parimeve brenda partisë, por do të jem një përfaqësuese e komunitetit që më ka votuar dhe që përfaqësoj si këshilltare. Kam ardhur me kontribut personal nga shoqëria civile dhe do të vazhdoj të luaj rolin tim në këshillin bashkiak duke ngritur zërin për çështje në interes të komunitetit”.

PD e Bashës zgjodhi një ditë më parë kryetarin e degës Naim Meta, ku thuajse munguan këshilltarët, përfaqësues të kësaj force politike në këshill si dhe deputetë të PD veç Flutura Açkës./elbasanion