Në Elbasan janë arrestuar dy shtetas nën dy akuza të ndryshme: një 26-vjeçar për shitje lëndësh narkotike dhe një 48-vjeçar i shpallur në kërkim për përndjekje.
Njoftimi:
DVP Elbasan
✅ Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Vihet në pranga një 26-vjeçar që shiste kanabis dhe kokainë në qytetin e Elbasanit.
✅ Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 48-vjeçar i shpallur në kërkim për përndjekje.
-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe kontrollet e vazhdueshme me fokus goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin M. H., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan si provë materiale. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe më pas i shiste në qytetin e Elbasanit.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë lokalizuar në rrugën “Qemal Stafa” dhe kanë vënë në pranga shtetasin A. Ll., 48 vjeç. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka lëshuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprën penale “Përndjekja”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.