Një tjetër premierë vjen në Teatrin Skampa/ Nis puna për komedinë ‘Nuk dëgjoj, nuk shoh, nuk flas”

Ka nisur zyrtarisht puna për komedinë e re që pritet t’i bashkohet repertorit të Teatrit Skampa, “NUK DËGJOJ, NUK SHOH, NUK FLAS”, një vepër komike që trajton me humor të mprehtë situata absurde dhe marrëdhënie njerëzore të ndërlikuara, ku tre burra përballen me dashuri të pamundura, duke krijuar një sërë momentesh ironike dhe reflektuese.

Shfaqja vihet në skenë nën regjinë e Donard Hasanit, ndërsa në role interpretojnë Laerti Vasili, Helidon Fino, Hervin Culi dhe Atalanta Kërçyku. Koncepti skenografik është realizuar nga Fatbardh Marku, duke i dhënë shfaqjes një dimension vizual që pritet të shoqërojë ritmin dhe gjuhën komike të veprës.

Kjo premierë e ardhshme vjen në një moment veçanërisht të ngarkuar dhe produktiv për Teatrin Skampa, i cili gjatë kësaj periudhe po dëshmon një aktivitet të dendur artistik. Paralelisht me këtë projekt, po zhvillohen prova, përgatitje dhe procese krijuese edhe për shfaqje të tjera, duke e shndërruar teatrin në një hapësirë të gjallë pune, eksperimentimi dhe bashkëpunimi artistik.

Ngjarjet e komedisë

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” trajton jetën e tre djemve me të meta fizike, të cilët kanë vendosur të ndajnë jetën bashkë në të njëjtin apartament. Spitha nuk flet, ai punon në bibliotekë dhe është poet. Jovani nuk dëgjon, ai ka një restorant dhe është një kuzhinier i shkëlqyer dhe Theofani nuk shikon, ai punon në një call center. Të tre janë të dashuruar me të njëjtën vajzë, pa e ditur asnjëri që është e njëjta që ata duan. Komedia fillon me ardhjen e saj në shtëpinë e tyre, ku të tre befasohen që ajo i njeh dhe secili përpiqet ta bëj për vete, duke u munduar të fsheh të metën fizike që ka. Në fund të gjithë pranojnë që jeta duhet jetuar me optimizmin për të ecur përpara pa e paragjykuar veten. Komedia greke “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” që kur se doli në fillim të viteve ‘90, pati menjëherë bujë. Vepra e autorit grek Yiorgos Theodosiadis shumë shpejt u bë ndërkombëtare dhe u ngjit në shumë skena të teatrove të botës, por nuk mungon dhe në skenën teatrore shqiptare.

Publiku i Elbasanit dhe më gjerë ka qenë dëshmitar i një sërë premierash të njëpasnjëshme, që tregojnë qartë ambicien e Teatrit Skampa për të ofruar një repertor të larmishëm, bashkëkohor dhe të vazhdueshëm, ku komedia, drama dhe format e reja skenike bashkëjetojnë në mënyrë dinamike.

Me këto ritme pune dhe me këtë fokus tek prodhimet e reja, Teatri Skampa po forcon gjithnjë e më shumë rolin e tij si një nga qendrat më aktive kulturore në vend, duke krijuar një dialog të pandërprerë me publikun dhe duke e mbajtur skenën të hapur për ide, zëra dhe interpretime të reja.