Një talent 21-vjeçar për Elbasanin, verdheblutë kërkojnë suedezin për të forcuar mesfushën

Elbasani mendon që tani për merkaton e janarit, duke i hedhur sërish “grepat” jashtë vendit. Bëhet fjalë për në Divizionin e Parë të kampionatit suedez. Janë mediat e këtij vendi që zbulojnë se verdheblutë nga Shqipëria janë të interesuar për të marrë shërbimet e futbollistit të AIK Oskarshamn, Lugvig Navik.

Bëhet fjalë për një mesfushor qendror vetëm 21 vjeç dhe 184 centimetra të gjatë. Ludvik ka qenë rregullisht pjesë e kombëtareve të moshave në vendin e tij nga U-16 deri në U20, duke marrë thuajse gjithnjë një rol protagonisti në skuadër, ku edhe ka shënuar pesë gola me moshat e Kombëtareve.

PERFORMANCA – Sakaq, sa i përket këtij sezoni me skuadrën e tij, ai ka luajtur në 28 takime dhe sërish të dhënat janë mbresëlënëse, duke u bazuar gjithnjë tek statistikat. Praktikisht është një titullar i padiskutueshëm tek skuadra e tij, ndërsa spikat edhe me golat. Bëhet fjalë për pesë gola të shënuar dhe pesë asiste.

Pra, edhe pse një mesfushor tipik qendre, duket se Navik ka një marrëdhënie të mirë me fazën ofensive, me asistet dhe golat, një lojtar me këto të dhëna që i mungon aktualisht Elbasanit. Nga ana tjetër, është një futbollist që eviton në maksimum kartonat, sepse ka marrë vetëm tre të tilla në 28 takime, ndërsa të kuqin nuk e “njeh”. Nga statistikat, ai ka marrë pjesë në 40% të golave të shënuara nga skuadra e tij përgjatë këtij sezoni.

KONKURENCA – Gjithsesi, për Elbasanin nuk do të jetë një tratativë e lehtë për ta bërë të vetin, për vetë faktin se Navik ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të tjera elitare nga kampionati suedez dhe mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e tij.

Kontrata e tij mbaron në fund të këtij vitit, pra më 31 dhjetor dhe nuk ka pengesa për asnjë skuadër që dëshiron ta afrojë në ekip. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë gjërat, por Elbasani ka nisur të mendojë që tani për përforcimet në muajin janar, duke parë se në rrethin e mesit të fushës ndoshta kanë parë mangësi.

PANORAMASPORT.AL