Një nga liderët te Elbasani, Lila: Të tregojmë se nuk jemi rastësisht në kryesim

Elbasani e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tashmë ndodhet në krye të klasifikimit, të vetëm në kuotën e dhjetë pikëve pas katër javëve të para. Një ecuri gati perfekte, me vetëm një “çedim” në Rrogozhinë dhe golin e anuluar nga penalltia në fund, por që gjithsesi në Elbasan nuk kanë ndërmend ta kujtojnë më.

Tani shohin përpara dhe pas fitores me Partizanin në transfertë, presin që ta pasojnë me Teutën në shtëpi, atë që sezonin e kaluar e kanë pasur si “prenë” e tyre të preferuar. Të gjitha letrat duken në rregull për ekipin e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç, ndaj tri pikët mbeten opsioni i vetëm.

LILA – Një nga shtyllat kryesore të prapavijës është mbrojtësi me përvojë Bledar Lila, i cili prej dy sezonesh është pjesë stabël e këtij Elbasani. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 24 vjeçari ka ndarë mendimet e tij mbi këtë ecuri, pritshmëritë e skuadrës dhe sfidën e radhës ndaj Teutës. Bie në sy se ai është me këmbë në tokë dhe kërkon të ruajë këtë ecuri, por pa kaluar aspak në eufori. “E kemi nisur sezonin shumë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Normalisht, duhet punë akoma më shumë për ta mbajtur vendin e parë dhe për të treguar se nuk jemi këtu rastësisht”, u shpreh fillimisht Lila. Ai theksoi më tej se grupi është i konsoliduar dhe blerjet e reja kanë dhënë menjëherë efekt. “Kam shumë besim te grupi, por edhe tek lojtarët që kanë ardhur këtë verë. Deri tani jemi duke ecur mirë, por gjëja më e rëndësishme është vazhdimësia. Këtë duhet ta tregojmë në çdo ndeshje, sepse vetëm kështu do të ruajmë stabilitetin dhe rezultatet pozitive”, vijoi më tej mbrojtësi i Elbasanit.

SEKRETI – Në aspektin e brendshëm të skuadrës, mbrojtësi i Elbasanit vuri theksin se vazhdimësia nga sezoni i kaluar është një faktor pozitiv. Sipas tij, ky është një nga sekretet që po bëjnë paraqitje të mira në këtë fillim sezoni. “Nuk është se kemi bërë ndryshime të mëdha, jemi pothuajse të njëjtët lojtarë që kemi qenë edhe vitin e kaluar. Por tani kemi më shumë eksperiencë dhe është viti i dytë që luajmë bashkë, ndaj normalisht njohim njëri-tjetrin më shumë. Kjo është një plus i madh. Edhe të rinjtë që kanë ardhur këtë vit kanë treguar kualitet dhe cilësi, si dhe janë ambientuar menjëherë me ne dhe me stilin tonë të lojës”, sqaroi më tej “pistoni” i krahut të djathtë në mbrojtjen elbasanase.

TEUTA – Për sa i përket ndeshjes së radhës me Teutën, Lila mbetet i bindur se skuadra e tij ka forcat për të marrë maksimumin. Gjithsesi ai vlerëson kundërshtarin, ndaj kërkon kujdes. “Çdo ndeshje futemi për të fituar dhe ky duhet të mbetet mentaliteti ynë. Vetëm kështu mund të ecim përpara dhe të mbajmë pozicionin që kemi sot. Teuta është një ekip i mirë, ka cilësi, por kam shumë besim te skuadra jonë. Nëse japim maksimumin në fushë, nuk llogarisim asnjë kundërshtar. Këtë duhet ta tregojmë edhe të dielën”, e mbyll Bledar Lila.

Me një grup të fortë dhe një atmosferë pozitive në dhomat e zhveshjes, Elbasani duket i vendosur që të mos kënaqet vetëm me kryesimin e përkohshëm, por të vazhdojë të tregojë se është një pretendues serioz për objektivat madhorë të sezonit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL