Monday , July 7 2025

Një nga armët kryesore në repartin ofensiv, Elbasani afron sulmuesin izraelit

Elbasani ka realizuar një tjetër goditje të rëndësishme në merkato, teksa ka siguruar shërbimet e sulmuesit izraelit, Roei Ben Shimon. “Panorama Sport” e paralajmëroi më herët që verdheblutë kishin arritur marrëveshjen, ndërsa mëson ekskluzivisht edhe se për cilin lojtar bëhet fjalë. Futbollisti 24-vjeçar mbërriti një ditë më parë në Shqipëri dhe do t’i bashkohet menjëherë grupit që po zhvillon fazën përgatitore verore në kompleksin sportiv “Pepa”.

Ai pritet të jetë një nga armët kryesore të skuadrës verdheblu në repartin ofensiv për sezonin e ri

PROFILI – Ben Shimon është një sulmues qendre klasik, me profil fizik të spikatur (185 cm i gjatë), i cili vjen nga kampionati izraelit. Ai ka lindur më 4 dhjetor të vitit 2000 dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në kampionatet izraelite, duke luajtur me skuadra si Maccabi Herzliya, Hapoel Kfar Saba, Bnei Yehuda, si dhe për një periudhë të shkurtër me Beitar Jerusalem. Në sezonin e fundit, ai ka zhvilluar 27 ndeshje me Maccabi Herzliya, duke shënuar 10 gola dhe dhënë tri asiste, një tregues i qartë i efikasitetit të tij në zonë dhe lidhjes me rrjetën.

Performanca ka rënë në sy të drejtuesve të Elbasanit, të cilët kanë lëvizur shpejt për ta afruar në skuadër. Në karrierën e tij të deritanishme, Roei Ben Shimon ka treguar se është një futbollist që shënon me rregullsi. Ai nuk është thjesht një lojtar që qëndron në zonë, por di të lëvizë mirë, të krijojë hapësira dhe të përfitojë nga gabimet e mbrojtësve. Ai vjen në Elbasan në një formë të mirë dhe me pritshmëri për të bërë menjëherë diferencën në Superiore. Njëkohësisht, ai ka qenë pjesë e ekipit të 21- vjeçarëve të skuadrës së Izraelit. Vlera e tij aktuale në treg vlerësohet 150 mijë euro, por në ditët e tij më të mira ka pasur edhe vlerën e 250 mijë eurove.

MERKATO – Deri në këtë fazë të përgatitjeve, verdheblutë kanë siguruar shërbimet e tre lojtarëve të rinj, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zyrtarizohen edhe dy apo tri afrime të tjera që do të mbyllin në mënyrë të plotë organikën për sezonin e ri futbollistik. Më herët, klubi ka zyrtarizuar gjithashtu afrimin e portierit Martin Janaçek, i cili vjen me një eksperiencë të gjatë në disa ekipe në Çeki, si dhe të Donart Ibraimit, një mesfushor fantazist nga Maqedonia e Veriut që sjell ekuilibër dhe përvojë në mesin e fushës.

Sipas burimeve pranë klubit, Elbasani është në bisedime të avancuara për të afruar edhe një anësor sulmues, si dhe një lojtar tjetër në repartin e mesit ose mbrojtjes, në varësi të profilit që do të gjendet në treg. Stafi teknik po vlerëson me kujdes të gjitha opsionet, ndërsa synimi është që afrimet të mos jenë vetëm për numër, por të kenë ndikim të menjëhershëm në cilësinë e skuadrës. Alternativat janë vendase dhe të huaja, ndërsa zyrtarizimet priten brenda javës në vijim.