Një javë pas zjarrit në landfillin e Elbasanit, që duket se tashmë është shuar plotësisht, dëmet mjedisore janë të konsiderueshme.
Ditën e sotme kanë mbërritur për një vizitë dhe monitorim nga afër të situatës, edhe dy ministra të kabinetit të qeverisë “Rama”.
Gazetari i Report Tv, Ronaldo Gjoshi, informon se ishin ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, që është e dyta herë në një javë që monitoron situatën në vendngjarje dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha, që ishin sot të pranishëm në landfill.
Të dy zyrtarët e lartë janë parë me mjetet dhe eskortën e tyre teksa hynin në landfillin e Elbasanit, ku ka ende forca të grupeve operacionale zjarrfikëse dhe ushtrisë që punojnë me mjete dhe personel, për të shmangur riaktivizimin e vatrës që u ndez të martën e kaluar.
Pritet të diskutohet për dëmet e shkaktuara, masat e marra, riparimin e tyre dhe zgjidhjet e kësaj situate që dukshëm përsëritet dhe kërkon zgjidhje emergjente, pasi tymi toksik ka pasoja edhe në shëndetin e qytetarëve.
Mbeten ende të panjohura edhe shkaqet e zjarrit në këtë vendgrumbullim, edhe pse dyshimi kryesor është vetëndezja për shkak të lëndës së parë të mbetjeve dhe gazrave që shkaktojnë reaksionet zinxhir të vetëndezjes. Por po verifikohet edhe për një zjarrvënie të mundshme./Shqiptarja.com