Një fshat i vogël, por që po bën histori. Ky është Shtërmeni, fshati i shtangistëve. Leonard Toska, trajneri i ekipit shtërmenas pohon me krenari se kanë marrë 83 medalje ndërkombëtare.
“Unë nuk e kuptoj jetën pa peshëngritjen. Kam marrë 83 medalje në kampionate Mesdhetare, Ballkanike, Evropiane dhe Botërore.
Kam marrë rreth 750 medalje vendi dhe fletë nderi që nuk kam durim t’i numëroj. Ja ky fshati i vogël ka prodhuar këta shtangistë të nivelit botëror”.
Peshëngritja do e shoqërojë gjithë jetën, por së fundmi dy pasione të reja po zënë kohën e tij të lirë.
“Më lindi ideja të mbjell ca ullinj. Zona jonë mbahej për kultivimin e grurit dhe misrit, ndaj njerëzit qeshnin kur i mbolla, por tani po i mbjellin të gjithë.
Nuk e dija që do merrja kaq prodhim. Me punë dhe disiplinë çfarë nuk mund të bësh. E kam qejf si bimë. Madje edhe kurorat olimpike janë bërë me degët e ullirit. Ka treg, na e marrin italianët.
Merrem dhe me bletët. Kam 150 koshere, tani i kam sjellë nga shtegtimi se i kisha në Vithkuq. Po nuk pati bletë, nuk ka njerëzim”, shprehet Leonardi në “Një nga ne”.
Shqiptarja.com