Në kuadër të nismës mjedisore dhe sensibilizuese “Dita pa Makina”, Bashkia Elbasan ka shpallur urdhrin për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa akse kryesore të qytetit, më 21 shtator 2025.
Sipas urdhrit të firmosur mbi bazën e kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, zhvillimin e territorit dhe Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në këto segmente:
Bulevardi “Aqif Pasha”, nga stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”, nga ora 08:00 deri në 20:00.
Rruga “Rinia”, nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” deri te kryqëzimi i rrugës “Tomorr Sinani” (Sporti i Vjetër), nga ora 08:00 deri në 16:00.
Për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, në terren do të angazhohen Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Policia Bashkiake si dhe strukturat përkatëse të bashkisë, të cilat do të marrin masa për devijimin e trafikut dhe qetësinë publike.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe është shpallur publikisht në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan, si dhe përmes mediave lokale.
👉 “Dita pa Makina” synon të nxisë përdorimin e mjeteve alternative të transportit, uljen e ndotjes dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët.