Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Paulesh, në Peqin, ku një inxhinier ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë punës në një kantier ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Peqin kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Enver Hoxha, 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik në kantierin ku ndodhi ngjarja.
Arrestimi i tij u krye për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se mungesa e zbatimit të rregullave të sigurisë ka sjellë pasojën tragjike.
Viktima është Guri Dashi, 42 vjeç, me profesion inxhinier, i cili gjatë kryerjes së detyrave të punës ka rënë nga lartësia dhe ka humbur jetën në vend.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe përgjegjësitë ligjore përkatëse.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.