Nga Teuta te Partizani, Mihal Gjika flet hapur për Elbasanin

Mihal Gjika është nga ata që flet rrallë dhe, kur e bën, nuk preferon të shpërndajë lavdata pa kriter. Megjithatë, këtë herë ai ka dalë jashtë natyrës së tij, teksa ka analizuar paraqitjen e Elbasanit pas fitores me përmbysje ndaj Teutës. Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport”, “Lakja”, siç e njohin të gjithë, e cilëson këtë përballje si një nga ndeshjet më të mira të verdhebluve këtë sezon, duke theksuar se fitorja ishte plotësisht e merituar. “Sipas meje, Elbasani ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni. Fillimi ishte disi më i mirë për Teutën, por më pas skuadra u organizua, u qetësua dhe nisi të luante taktikisht ashtu siç duhej. Kombinimet nga krahët funksionuan shumë mirë dhe lojtarët bashkëpunuan me inteligjencë në fazën sulmuese. Kjo, sigurisht, është meritë e trajnerit, sepse asgjë nuk vjen rastësisht në futboll. Për mua, Elbasani luajti shumë mirë dhe e kërkoi me ngulm fitoren, duke e merituar plotësisht atë. Një ndeshje mund të marrë çdo drejtim, por këtë herë Elbasani tregoi karakter dhe besim deri në fund”, u shpreh fillimisht legjenda e futbollit elbasanas.

KËSHILLA – Gjika nuk nguron të japë edhe disa këshilla për skuadrën, duke vënë në dukje njëkohësisht punën e trajnerit Gvozdenoviç, të cilin e konsideron një teknik korrekt dhe me vlera njerëzore “Këshilla ime është që, para së gjithash, të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të heqin dorë nga çdo lloj euforie. Duhet të dëgjojnë trajnerin, sepse mbi të gjitha ai është një njeri që di ta mbajë skuadrën të bashkuar. Po të kujtojmë deklaratën e tij pas ndeshjes, ai ia dha meritat stafit për zëvendësimin e lojtarit që shënoi golat. Kjo tregon frymën që ka krijuar në ekip dhe besueshmërinë që ka ndaj stafit të tij. Është një trajner xhentil dhe i tillë duhet të jetë i gjithë ambienti përreth skuadrës. Për më tepër, ai është një trajner me këmbë në tokë dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment”, vijoi më tej Gjika.

PARTIZANI – “Lakja” ndalet edhe te dueli i Kupës ndaj Partizanit, ku përballen dy ish-skuadrat e tij, me të cilat ka shkruar histori. Sipas tij, objektivi kryesor duhet të jetë fitorja në ndeshjen e parë në Elbasan. “Partizani e ka rregulluar disi lojën dhe ka ngritur nivelin krahasuar me më parë. Për Elbasanin, kjo përballje është një detyrë shumë e madhe dhe ndeshja e parë në shtëpi duhet fituar patjetër. Më pas mund të mendohet për ndeshjen e kthimit. Në Elbasan duhet të fitojnë dhe unë kam besim se do t’ia dalin”, u shpreh ish-mbrojtësi i Kombëtares.

VLLAZNIA – Në fund, Mihal Gjika jep edhe një mendim për sfidën e fundjavës në kampionat, ku Elbasani do të udhëtojë drejt Shkodrës për t’u përballur me Vllazninë. Ai tregohet realist, duke theksuar vështirësinë e transfertës. “Të jem realist, në Shkodër e shoh një ndeshje shumë të vështirë. Megjithatë, kam besim te ekipi im. Nëse Zoti dhe fati bëhen bashkë, edhe një barazim për mua do të ishte një rezultat i kënaqshëm”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën Mihal Gjika.