Nga përlotja pas hapjes së gojës e deri te mornicat në trup, si shpjegohen reagimet e çuditshme të trupit

Shumë prej proceseve të trupit shpesh duket se nuk kanë kurrfarë kuptimi, por kjo nuk do të thotë që nuk janë të shpjegueshme. E keni menduar ndonjëherë si shpjegohen shkëncërisht disa prej reagimeve më të çuditshme të trupit?

Lemza pas ngrënies së shpejtë

Kur hani me shpejtësi, stomaku enjtet dhe shkakton kontraktime të diafragmës. Një irritim i tillë shkakton lemzën, e cila largohet për disa minuta.

‘Ngrirja’ e trurit pas ngrënies së akullores

Ngrënia e akullores mund të shkaktojë dhimbje, mpirje dhe ndjesinë e ngrirjes së trurit. Fyti është pikëtakimi i dy enëve të gjakut, të cilat e ushqejnë trurin me gjak. Kur ato preken nga i ftohti, truri beson se trupi ka ngecur në një ambient shumë të ftohtë. Enët e gjakut zgjerohen dhe kontraktohen menjëherë për të siguruar më shumë gjak. Receptorët e trurit përgjigjen me ndjesinë e mpirjes.

Përlotje gjatë hapjes së gojës

Hapja e gojës shoqërohet shpesh me daljen e lotëve. Tensioni muskular shkakton mbyllje të pavullnetshme të syve dhe daljen e lotëve të tepërt të akumuluar në sy.

Mpirja e këmbës pas qëndrimit ulur

Nëse keni qëndruar ulur për shumë kohë, me siguri keni përjetuar mpirje dhe therje të këmbës. Kjo ndodh sepse nervat e këmbës janë penguar për shumë kohë dhe qarkullimi i gjakut në atë zonë ka qenë i kufizuar. Njerëzit më të dobët përjetojnë më shumë mpirje, sepse enët e gjakut kompresohen më shumë gjatë qëndrimit ulur.

Mornica në trup nga frika

Mornicat në trup nga frika shkaktohen si pasojë e kontraktimit të qimeve të lëkurës, një mekanizëm i padobishëm që shkaktohet nga adrenalina e tepërt ose stresi.

Tharja e buzëve nga i ftohti

Lëkura e buzëve është më e hollë se në pjesët e tjera të trupit. Buzët nuk përmbajnë shumë gjendra që çlirojnë vajra dhe lagështi, ndaj duhet t’i zbusni më shumë.

Zhurmat e stomakut kur jeni të uritur

Zhurma e stomakut kur jeni të uritur ka të bëjë me kontraktime të shpeshta të këtij organi. Kur receptorët e stomakut ndiejnë mungesën e ushqimit, ato dërgojnë disa ngarkesa elektrike në zorrë që shkaktojnë shtrëngimin e muskujve të stomakut.

Tështima nga dielli

Teoria pas fenomenit të tështimës si pasojë e diellit, shpjegon se nervat optikë që janë të ndjeshëm ndaj dritës, janë shumë pranë nervave që kontrollojnë tështimën. Reagimi i nervave optikë ndaj dritës, nxit edhe ndjesinë e irritimit të hundës dhe tështima duhet ta pastrojë atë.

Shikimi mjegullohet si pasojë e blicit të kamerës

Blici i aparatit fotografik stimulon shumë receptorë që konvertojnë dritën në impulse elektrike, të cilat prodhojnë imazhet që ne shohim çdo ditë. Blici lëshon një dritë aq të fortë, sa këto receptorë tejstimulohen dhe shikimi bëhet me pika dhe njolla.

Marramendje pas lëvizjes së shpejtë

Nëse keni qëndruar ulur për shumë kohë dhe ngriheni shumë shpejt, me siguri do të përjetoni një marramendje të lehtë. Kjo ndodh për shkak të qarkullimit të beftë të gjakut në këmbë dhe zbrazjes së trurit nga një pjesë e madhe e gjakut. Rrahjet e zemrës janë më të larta dhe enët e gjakut më të ngushta.

Të dridhura nga i ftohti

Trupi mundohet ta ruajë temperaturën në nivelin e 37 gradëve. Kur ekspozohemi ndaj të ftohtit, trupi pëson të dridhura sepse muskujt kontraktohen më shumë, në përpjekje për të krijuar më shumë nxehtësi. Kjo është një taktikë kontraktimi dhe zgjerimi të muskujve për të rikthyer temperaturën e organizmit.

Burimi: AgroWeb.org