Nga nxënëse në ministre: Mirela Kumbaro rikthehet në shkollën artistike “Onufri” për të parë ndryshimet e mëdha

Pas disa dekadash, Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro, është rikthyer në shkollën ku nisi hapat e parë të edukimit dhe dashurisë për artin, shkollën artistike “Onufri” në Elbasan.

Një vizitë e ngrohtë dhe plot emocione, ku ajo është pritur nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtori i shkollës Ilir Zdrava, mësuesit dhe nxënësit e këtij institucioni që sot është shndërruar në një model të edukimit artistik dhe bashkëkohor.

E shoqëruar nga kryebashkiaku Llatja, ministrja Kumbaro vizitoi palestrën, bibliotekën dhe studiot artistike të shkollës, ku pa nga afër punimet e nxënësve dhe ndryshimet që i kanë dhënë “Onufrit” një pamje të re, por që ruan shpirtin e krijimtarisë që e ka karakterizuar gjithmonë.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, tha se ky është një investim i rëndësishëm për arsimin dhe artin në qytet.

 “Kënaqësi t’i tregoja Ministres së Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sa e bukur është bërë shkolla ‘Onufri’, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, vendi ku ajo dikur mori dijet e para dhe plot dashuri nga mësuesit tanë.

Sot ‘Onufri’ është një model i shkollës moderne dhe krenaria jonë, prej nga kanë dalë shumë artistë të talentuar. Me të njëjtin ritëm do të vijojmë edhe gjatë vitit të ardhshëm, me rikonstruksionin e tre shkollave të tjera në Elbasan, sepse besojmë fort se investimi më i vlefshëm është ai për arsimin dhe fëmijët tanë.”

Një nga ndalesat më të veçanta të vizitës ishte ku ministrja u takua me mësuesen Zana Rroseni, e cila ka dhënë mësim për dekada në këtë shkollë dhe ka qenë një nga figurat frymëzuese të saj që në fëmijëri.

“Mësuese Zana ishte frymëzimi im për të studiuar gjuhë të huaja. Ajo më mësoi frëngjishten me shumë dashuri dhe përkushtim, dhe më shoqëroi me dashuri në çdo hap. Falë saj, vendosa të vazhdoja rrugën e gjuhëve të huaja,” u shpreh ministrja Kumbaro.

Në këtë vizitë, ministrja dhe kryebashkiaku ndanë edhe tituj mirënjohjeje për personalitete të artit dhe mësimdhënies që kanë lënë gjurmë në qytetin e Elbasanit.

Profesori Sopot Serica u nderua me motivacionin: “Për interpretimin virtuoz dhe harmoninë e shpirtit që solli dritë në skenë dhe frymëzim në mësimdhënie për brezat.”

Ndërsa skulptori Vladimir Caridha, autor i shumë veprave monumentale në qytet, u nderua për kontributin e tij me motivacionin:

“Për duart që skalitën artin dhe shpirtin që frymëzoi brezat artistikë. Është nder i madh për qytetin tonë të kemi artistë si profesor Caridha, që edhe pse në pension, vijon të krijojë çdo ditë në studion e tij. Elbasani ka një trashëgimi të pasur artistike dhe njerëz që e mbajnë gjallë atë”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Vizita u mbyll me një koncert artistik të përgatitur nga nxënësit, që sollën në skenë muzikë, duke përcjellë energjinë e brezit të ri të artistëve elbasanas.