Nga nostalgia e titullit te realiteti i “Final 4”: Flet Elvis Kotorri

Fitorja e fundit në Vorë i dha mundësinë Elbasanit të ngushtojë në tri pikë diferencën me Vllazninë kryesuese dhe të mbajë gjallë shpresën për titullin kampion. Suksesi erdhi në një moment delikat për verdheblutë, vetëm një javë pas humbjes në Shkodër, një ndeshje që në kampin elbasanas u konsiderua e pamerituar për mënyrën sesi rrodhën minutat e fundit. Për trajnerin e portierëve, Elvis Kotorri, këto tri pikë kanë peshë të veçantë, jo vetëm për renditjen, por edhe për aspektin psikologjik të skuadrës. “Ndaj Vorës ishte një fitore shumë e rëndësishme, sepse vinim nga një humbje e pamerituar në Shkodër. Futbolli është i tillë, edhe kur pëson gol në fund duhet ta pranosh dhe të reagosh menjëherë. E rëndësishme ishte mënyra si u përgjigj skuadra në fushë. Me Vorën treguam karakter, disiplinë dhe përqendrim maksimal deri në fund. Fituam në një fushë të vështirë, ndaj një ekipi simpatik dhe të fortë, që të vë në vështirësi në çdo moment. Kjo fitore na mban në garë për katërshen, por mbi të gjitha na jep besim dhe vetëbesim për vazhdimësinë”, u shpreh fillimisht Kotorri për “Panorama Sport”.

BYLISI – Në vijim, Kotorri u ndal te ndeshja e fundjavës ndaj Bylisit, një tjetër përballje që kërkon përqendrim maksimal për të siguruar tri pikët. “Ky kampionat ka treguar se nuk ka ekipe të lehta për t’u mundur. I tillë është edhe Bylisi. Nuk duhet të harrojmë se në takimin e kaluar në Ballsh jemi mundur, çka tregon se kundërshtari është ekip i fortë dhe i organizuar. Nëse nuk je 100% i përqendruar, të ndëshkon. Ne do të hyjmë në fushë vetëm për tri pikët dhe për të bërë lojën tonë. Duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve. Nëse lëmë pikë ndaj skuadrave që janë në fund të renditjes, do të ishte një hap fals për objektivat që kemi. Prandaj na duhet seriozitet, ritëm dhe përgjegjësi nga minuta e parë deri në të fundit”, vijoi trajneri i portierëve.

NOSTALGJIA – Njëzet vite më parë, Elbasani sillte në shtëpi titullin e dytë kampion, me Elvis Kotorrin protagonist absolut në katërkëndësh. Ish-portieri kujton me emocione atë sezon historik, por bën edhe një paralelizëm me situatën aktuale, duke shmangur çdo eufori të parakohshme. “Të jem realist, ato kanë qenë emocione të jashtëzakonshme. Të dalësh kampion është një arritje e madhe, sepse nuk ndodh shpesh në karrierën e një futbollisti. Janë momente që mbeten përgjithmonë. Por sot duhet të jemi me këmbë në tokë. Fillimisht duam të sigurojmë ‘Final 4’, të përqendrohemi maksimalisht aty dhe më pas të shohim hap pas hapi se çfarë do të ndodhë. Nuk duhet të na marrë entuziazmi para kohe. Atmosfera është shumë e mirë, grupi është i bashkuar dhe ka uri për sukses. Le të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim dhe në fund do të bëjmë llogaritë”, përfundoi Kotorri prononcimin e tij për gazetën.