Ndonëse në Elbasan dhe gjithë vendin është futbolli ai që zë peshën kryesore të sportit, ky qytet po shkëlqen në disiplina të tjera që nuk janë në qendër të vëmendjes. Këtë sezon që sapo u mbyll, Klubi Shumësportësh i Elbasanit ka bërë bilancin dhe renditur trofetë apo titujt kampionë që janë marrë nga sportistët që përfaqësojnë ngjyrat verdheblu.
Bëhet fjalë për të paktën gjashtë triumfe në disiplina të ndryshme sportive, duke dhënë idenë se në Elbasan po rilindin pak e nga pak të gjitha sportet që deri dje e kishin humbur shkëlqimin e e dikurshëm. Gjithsesi, nga ana tjetër, bëhet fjalë për një sezon që ka pasur edhe pengje.
TRIUMFET – Për t’i marrë me radhë, verdheblutë kanë treguar se janë një ndër klubet elitare më vendin tonë. Në volejboll janë shpallur kampionë për moshën U-17 për meshkuj. E njëjta gjë edhe për sportin e hendbollit, që janë shpallur gjithashtu kampionë.
Në sportin e pingpongut kanë zënë vendin e parë për grupmoshën U-11. Për të vijuar më pas edhe me sportin e qitjes, aty ku kanë zënë vendin e parë dhe vazhduar me traditën e kësaj disipline. Verdheblutë janë shpallur kampionë edhe në sportet e ecjes sportive dhe të harkut, duke plotësuar në njëfarë mënyre edhe “pazëllin” e sporteve në të cilat kanë spikatur në kampionatet e këtij sezoni.
PENGU – Çdo sezon ka edhe pengjet e veta dhe përjashtim nuk bën as Elbasani. Verdheblutë kanë pasur pretendime dhe rivalizuar deri në fund me ekipin e të rriturve të basketbollit të meshkujve për t’u ngjitur në Superiore këtë edicion. I shkuan shumë afër, por u mundën në duelin final me Partizanin dhe më pas në “play off” me Tiranën nuk ia dolën dot që të siguronin një vend mes më të mirëve të koshit shqiptar. Gjithsesi, mësohet se edhe këtë sezon do të formojnë një skuadër që të pretendojnë sërish ngjitjen në elitë.
