Ka përfunduar investimi në asfaltimin e rrugës “Mefail Bicaku” në Rajonin Nr. 3, pranë Doganës, një ndër zonat më problematike të qytetit përsa i përket infrastrukturës.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër punimet e përfunduara, duke theksuar se kjo rrugë, ndonëse nuk konsiderohet zonë informale, kishte mbetur pas në zhvillim, për shkak të ndërtimeve të shpejta dhe të pakontrolluara pas viteve ‘90.
“Edhe pse jemi në një zonë pranë dy shkollave profesionale dhe Doganës, kjo rrugë kishte mbetur pas për shumë vite. Ishte një kërkesë e kahershme e banorëve dhe bizneseve të zonës, e cila tashmë ka marrë zgjidhje”, u shpreh z. Llatja.
Rruga “Mefail Bicaku” është një rrugicë lidhëse ndërmjet rrugës “17 Marsi” dhe rrugës “Zogu i Parë”. Ajo u shërben rreth 120 banorëve dhe disa bizneseve lokale.
Vitin e kaluar është investuar në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, ndërsa këtë vit është realizuar shtrimi i plotë me asfalt, në kuadër të një bashkëpunimi mes Bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH).
“Edhe pse ishim në një periudhë zgjedhore, puna nuk është ndalur asnjë moment. Do të vazhdojmë me investime të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, theksoi Kryetari i Bashkisë në fjalën e tij.
Ky investim vjen si pjesë e angazhimit të bashkisë për të përmirësuar infrastrukturën urbane dhe për të garantuar kushte më të mira jetese për qytetarët në çdo lagje të Elbasanit.
