Nga “Emin Matraxhiu” në Koridorin VIII –/ Rruga “Gjergj Arianiti” bëhet bulevardi i ri i Elbasanit

Punimet për ndërtimin e rrugës “Gjergj Arianiti” po ecin me ritme të shpejta, duke hyrë në fazën e asfaltimit. Ky aks i ri, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin dhe më tej me Koridorin VIII, duke krijuar një alternativë të re dhe moderne lëvizjeje për banorët e zonës.

Rruga po ndërtohet plotësisht nga e para, duke përfshirë, trotuare të reja për këmbësorët, ndriçim modern, si dhe korsi të dedikuara për biçikleta, që do të rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetesës urbane.

Përveç përmirësimit të infrastrukturës, projekti do të sjellë një pamje të re e tërheqëse përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe më të aksesueshme.

Në vijim, punimet do të shtrihen edhe në segmentin e rrugës “Behxhet Hyti”, nga ura e Lizës deri te ish-frigoriferi i Elbasanit, duke plotësuar kështu një nyje të rëndësishme lidhëse për qarkullimin urban dhe ndërqytetas.

Investimet në infrastrukturën e nën-Elbasanit vazhdojnë, duke transformuar çdo ditë pamjen e qytetit dhe duke sjellë kushte më të mira jetese për komunitetin.