Nga dita e hënë nis regjistrimi i popullsisë: Pyetje nga pasuria deri tek tualeti që keni në shtëpi, nëse refuzon e pëson keq

Thuajse dy vjet pas miratimit të ligjit për Censusin e popullsisë dhe banesave në Shqipëri, Instituti i Statistikave është gati të pilotojë projektin, fillimisht në 9 bashki, për ta shtrirë në 2022-shin në të gjithë Shqipërinë. Nga kjo e hënë deri në 15 nëntor, do të zhvillohet faza pilot, pikënisja për përcaktimin e strategjive socioekonomike dhe planeve për të dhëna të qëndrueshme në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

Provat për regjistrimin e popullsisë do të zhvillohen në 50 zona të përzgjedhura, me kushte të ndryshme socio-ekonomike, me përbërje popullsie minoritare dhe zona të ndryshme gjeografike: Fushë-Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamzë, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull.

Risi e kësaj matjeje do të jenë pajisjet dixhitale që do të zëvendësojnë letrat për mbledhjen e të dhënave në terren, modernizimi i sistemit të informacionit dhe fakti që këto të dhëna do të shërbejnë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë dhe ndërtesave për vitet në vazhdim.

PYETËSORI

Projektligji për regjistrimin e popullsisë dhe banesave ka shkuar për konsultim në ministritë e linjës dhe komisionet parlamentare bashkë me një pyetësor zyrtar, në përbërje të të cilit janë 44 pyetje të ndarë në katër kategori të dhënave: individuale, ekonomike, të ndërtesës dhe banesës.

Përveç gjeneraliteteve dhe të dhënave për para, prona apo edhe përkatësia fetare, në pyetësor, secilit do t’i kërkohet çdo detaj i jetës, që nga data e saktë e bashkëjetesës, martesës apo divorcit (në rastet e ngjashme). Por jo vetëm kaq.

Censusi i 2022-shit rreket të depërtojë më thellë në shtëpitë e shqiptarëve duke mos u mjaftuar me çatinë ku jetojnë, nëse është e blerë apo me qira, por deri te pajisjet elektroshtëpiake. Në pyetësorin mbi njësitë ekonomike familjare listohen 17 të tilla, përbri së cilës çdokush do të duhet të checkojë nëse i posedon në banesë.

Këto i përkasin grupit të të dhënave të njësisë ekonomike familjare. Të tjera kërkohen në pyetësorin e banesës, që interesohet nga statusi i banimit, sistemi i furnizimit me ujë e deri te tualetet dhe dushi.

Të ardhurat familjare janë gjithashtu të rëndësishme e mbi të gjitha burimet se nga vijnë: punë në shtet a privat, vetëpunësim, prona, investime nga qiraja, llogari kursimi, pension a ndihmë sociale apo remitancat. Vlen të theksohet se në morinë e pyetjeve, vetëm tri prej tyre janë lënë fakultative apo në dorën e qytetarëve, të cilët zgjedhin t’u përgjigjen ose jo: feja, etnia dhe gjuha e folur.

Të tjerat janë të gjitha me detyrim. Një refuzim i saj e penalizon qytetarin me 100 mijë lekë gjobë, sipas ligjit. E po ashtu, edhe organizata që tentojnë të imitojnë në të njëjtën kohë këtë pyetësor do të hasen me gjoba të majme.