“Nëse diçka funksionon, mos e ndrysho”/ Treshja e pazëvendësueshme e Elbasanit

Kur shumë skuadra të Superiores eksperimentojnë me ndryshime të thella në verë, Elbasani po zgjedh një rrugë tjetër. Vazhdimësinë. Duke hyrë në sezonin e dytë në elitë, verdheblutë po mbështeten fuqishëm te struktura që i solli stabilitet dhe paraqitje solide një vit më parë.

Në thelb të kësaj filozofie është ideja se “nëse diçka funksionon, mos e ndrysho”, veçanërisht kur ke ndërtuar një grup lojtarësh që jo vetëm kanë performuar, por edhe kanë rezistuar fizikisht e psikologjikisht gjatë gjithë sezonit. Ky është rasti i Bledar Lilës, Bruno Lulajt dhe Kristian Drosit, tre futbollistët në podium që jo vetëm ishin të pranishëm në fushë, por e mbajtën realisht në kurriz një pjesë të madhe të sezonit, me mbi 2800 minuta për secilin dhe rol kyç në çdo ndeshje.

BLEDAR LILA – Në një skuadër relativisht të re dhe në proces ndërtimi, Bledar Lila është kthyer në futbollistin më stabël të Elbasanit. Me 38 ndeshje të zhvilluara mes kampionatit dhe kupës dhe 3428 minuta në total, Lila është jo vetëm lojtari me më shumë prezenca, por edhe i vetmi që kaloi kufirin e 3000 minutave. Si Roberto Bordin dhe më pas Ivan Gvozdenoviç nuk e vunë asnjëherë në diskutim për ta hedhur nga minuta e parë, duke e kthyer automatikisht në “maratonomakun” e Elbasanit. Ky është një tregues i dyfishtë: jo vetëm që trajnerët i besuan në çdo moment, por edhe që Lila nuk e humbi ritmin dhe nuk u lodh, pavarësisht ngarkesës së lartë dhe intensitetit të Superiores.

BRUNO LULAJ – Në çdo skuadër ka lojtarë që nuk marrin faqet e para, por që janë të pazëvendësueshëm për baraspeshën e ekipit. Bruno Lulaj është një prej tyre. Me 35 ndeshje dhe 2892 minuta, ai ishte prezent pothuajse në çdo betejë, gjithmonë i qetë dhe i saktë. Qëndrimi i tij në qendër të mbrojtjes ishte faktor qetësues për ekipin edhe për faktin se ishte kapiteni i skuadrës. Minutat e shumta treguan gjithashtu se 30-vjeçari ia “doli” të evitojë dëmtimet, edhe pse mungoi në ndonjë rast për shkak të kartonëve.

KRISTIAN DROS – Në mesin e fushës, ku loja kërkon mendje, këmbë dhe vizion njëkohësisht, Kristian Dros e mbajti veten gjithmonë në nivel elitar. Me 36 ndeshje dhe 2811 minuta, ai ishte pjesë thelbësore e formulës së qëndrueshmërisë së Elbasanit. Dros është një mesfushor “boxto-box”, që nuk ndalet asnjëherë, që mbron dhe sulmon, që mbulon hapësirat e shokëve të ekipit dhe jep oksigjen kur loja mbërthehet. Roli i tij ishte shpesh i fshehur, por thelbësor. Nuk ishte gjithmonë ai që merrte meritën për golin, por ishte ai që fitonte topin e parë, që niste aksionin ose që bënte presionin e parë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL