Një parfum me vlerë 3.700 lekë, i lënë në zyrën e një prokuroreje në Elbasan, ka bërë që të nisë një hetim nga SPAK për korrupsion. Pas një viti hetimesh, ku u intervistuan disa persona, shqyrtuan telefonat e tyre, dhe analizuan pamjet e kamerave të sigurisë, SPAK ka arritur në përfundimin se nuk ka asnjë provë që të dëshmojë se bëhet fjalë për një rast korrupsioni.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka kërkuar që çështja të pushohej, kërkesë e cila është pranuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka vlerësuar se nuk kishte indicie që mund të mbështesnin akuzat për korrupsion.
Sipas mediave, bëhet fjalë për një ngjarje më 4 dhjetor 2023, kur Arben Kotollaku, oficer i Policisë Gjyqësore të Elbasanit, ka hyrë në zyrën e prokurores Glenda Zeneli dhe i ka dhënë një parfum, duke thënë se ia ka dhënë një qytetar, Ismail Q., i cili ishte arrestuar dy muaj më parë për “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe që ishte lënë në masën “Detyrim paraqitjeje” me kërkesë të saj.
Pavarësisht se prokurorja e ka refuzuar dhuratën, nuk ka mundur t’ia kthejë menjëherë oficerit. Ky moment është “kapur” nga kamerat e sigurisë. Prokurorja i ka kthyer më pas sendin oficerit, duke i dhënë gjithashtu edhe një vendim për refuzimin e dhuratës duke u bazuar në ligjin për konfliktin e interesit. Për këtë nisi një hetim për korrupsion, çështje e cila i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Posaçme.
Oficeri ka deklaruar se parfumin ia ka dhënë për respekt, pa pasur qëllim për të ndikuar në ndonjë çështje hetimore. Nga ana tjetër, Ismail Q., qytetari i arrestuar, ka mohuar të ketë dhuruar parfumin për prokuroren. Pas një hetimi 1 vjeçar, Prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk ka pasur asnjë qëllim për ndikim në çështjet hetimore./Shqiptarja.com