Në partneritet me GIZ Albania/ Llatja: Po punojmë për përmirësimin e sistemit të transportit publik

Në Bashkinë e Elbasanit u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Bashkisë dhe GIZ Albania, në kuadër të bashkëpunimit për përmirësimin e sistemit të transportit publik në qytet.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke u shprehur se,“bashkëpunimi me GIZ Albania është një mundësi e jashtëzakonshme për të përshpejtuar transformimin e Elbasanit në një qytet më të mençur, më të gjelbër dhe më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët. Transporti publik është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për komunitetin.”

Ky projekt i përbashkët synon të bëjë transportin publik në Elbasan më efikas, të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.

Bashkia Elbasan dhe GIZ Albania janë të angazhuar për të zgjeruar më tej fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë mobilitetin e gjelbër, dixhitalizimin e shërbimeve, planifikimin urban dhe menaxhimin e qëndrueshëm të qytetit.