Aktorja Ema Andrea, nuk ka folur asnjëherë publikisht për vështirësitë e shtatzënisë së saj në një kohë që shoqeria ka patur një mentalitet tjetër dhe ka patur problemet e saj. E ftuar në emisionin “ Historia ime”, ajo ka treguar për faktin që ajo shtë bërë nënë në moshë shumë të re dhe sa e vështirë ishte të përballej me mentalitetin dhe realitetin. Gjithashtu a jo ka treguar për dëshirën dhe mënyrën e saj për të jetuar një jetë ndryshe:
“Unë kam qenë dhe jam një person romantik, kam besuar në dashuri. Ëndrrat e mia kanë qenë të studioj jashtë. Kur kam qenë adoleshente ëndrrat kanë qenë të lidhura me artin dhe pastaj me mënyrën e të jetuarit. Më ka pëlqyer të jetoj e pavarur edhe ëndërroja këtë jetën që nuk gjykojnë, nuk paragjykojnë. Në Shqipëri po të qeshësh në mëngjes, të thonë: A ke pirë? Që do të thotë se ka qenë shumë e vështirë të jesh vetvetja në shoqërinë tonë”, -tha Ema.
Ajo ka treguar gjithashtu për kohën e fakultetit, kur mbeti shtatzënë dhe më pas solli në jetë vajzën e saj, Sarën. “Unë ngela shtatzënë kur isha në fakultet, në vitin e tretë, dhe natyrisht që nuk kisha ndërmend të bëja ndonjë zgjidhje pragmatike midis vetes dhe fëmijës. Janë ato shenjat që t’i jep universi. Besoj se ka qenë fati im më i madh, sepse më ka bërë të hyj në një stad të mrekullueshëm shpirtëror, përgjegjësie, në raport me veten, në raport me shoqërinë dhe për të gjitha zgjedhjet që janë bërë më pas.”
Patjetër që mbështetja më e madhe ka qënë mamaja e Emës:
“Nëna ime më ka thënë: ‘Ne mund ta rrisim fëmijën bashkë, unë do të respektoj çdo dëshirë tënden.’ Bëhet fjalë për vite shumë të ashpra për të bërë të tilla zgjedhje, por jam rritur nga ajo nënë”, -u shpreh Ema.