Blaise Tsague po konfirmohet gjithnjë e më shumë si njeriu vendimtar i Elbasanit. Sulmuesi kamerunas po kalon një periudhë të shkëlqyer, duke u shndërruar në pikën e fortë të skuadrës verdheblu me paraqitjet dhe golat e tij të rëndësishëm.
Me pesë gola në gjashtë ndeshjet e fundit që ka qenë në fushë, Tsague ka qenë shpëtimtari i Elbasanit në disa sfida dhe po e mban ekipin të ngjitur në zonën e kreut. Ambicia personale mbetet e lartë: të vazhdojë këtë ritëm, të luftojë për çmimin e golashënuesit më të mirë dhe pse jo, të mbyllë sezonin si kampion i Shqipërisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Vllazninë, ai flet për formën aktuale, synimet, pritshmëritë për vazhdimin e kampionatit, si edhe lidhjen e tij me qytetin dhe tifozët elbasanas.
Blaise, së pari urime për golin dhe fitoren. Si e përjetove atë moment dhe çfarë domethënie ka ky gol për ty?
Faleminderit. U ndjeva shumë i lumtur që arrita të shënoj këtë gol kaq të rëndësishëm para tifozëve tanë. Ishte një moment që më dha shumë emocione dhe besim. Ndeshja kundër Vllaznisë ishte e luftuar nga të dyja skuadrat.
Çfarë udhëzimesh more para ndeshjes dhe si ndryshoi loja pas pjesës së parë?
E dinim që përballë kishim një skuadër shumë të fortë dhe se do të ishte një ndeshje me intensitet të lartë fizik. Ishim të përgatitur për këtë. Në pushim trajneri na kërkoi të ishim më agresivë përpara dhe objektivi ynë ishte të shënonim sa më shpejt.
Si ndihesh fizikisht dhe sa mendon se mund të përmirësohesh në pjesën e mbetur të sezonit?
Fizikisht ndihem shumë mirë. Do të vazhdoj të punoj fort, sidomos para portës, duke marrë vendime sa më të mira në fazën sulmuese.
Cilat janë objektivat e tua personale për këtë sezon? Mendon për të dalë golashënuesi më i mirë i kampionatit?
Po, kjo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një nga objektivat e mia. Dua të shpallem golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe pse jo, ta mbyllim sezonin si kampionë të Shqipërisë.
Skuadra ka marrë rezultate pozitive javët e fundit. Sipas teje, cili është çelësi i këtij progresi?
Çelësi është puna e përditshme, përulësia dhe besimi te vetja. Kemi një grup shumë të bashkuar dhe po e tregojmë këtë në fushë.
Çfarë mesazhi ke për tifozët e Elbasanit, të cilët po tregojnë gjithnjë e më shumë mbështetje?
Dua t’i falënderoj nga zemra për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar. Janë me ne si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështira. Premtoj se do të vazhdoj të jap maksimumin tim për t’i bërë ata të lumtur.
A mendon se me këtë ritëm Elbasani mund të synojë pozita të rëndësishme në kampionat?
Si e sheh skuadrën në të ardhmen? Ne besojmë fort te vetja. Kampionati është i gjatë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin intensitet. Objektivi është të mbyllim sezonin mes katër më të mirave dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur.
Ndeshja e radhës është kundër Vorës. Si e parashikon dhe cilat janë objektivat e tua?
Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Vora ka një skuadër të mirë. Ne do të japim më të mirën tonë dhe shpresoj që në fund të fitojë më i miri.
Çfarë të pëlqen më shumë te qyteti i Elbasanit? Ke ndonjë ushqim tradicional të preferuar?
Më pëlqen qetësia e Elbasanit. Dhe të jem i sinqertë… fasulja këtu më pëlqen shumë! (qesh)
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.