Thursday , June 12 2025

Në Elbasan pëlqejnë ish-futbollistin e Vllaznisë, gati oferta për 27-vjeçarin

Merkatoja verore sapo ka nisur dhe Elbasani po përpiqet që të bëjë goditjet që i duhen për të pasur një ekip konkurues sezonin që vjen.deliuEdhe pse zyrtarizimet mungojnë, kjo nuk do të thotë që bisedimet për të afruar lojtarë nuk ka pasur. Madje, mund të thuhet se lista e kontaktimeve është e gjatë dhe kryesisht po shihen lojtarë që janë pa kontratë me ekipet e tyre dhe po shihet mundësia për t’i afruar në skuadër. Gvozdenoviç shpreson që këto afrime të bëhen brenda këtij muaji, në mënyrë që t’i ketë të gjithë të gatshëm për fazën përgatitore që është menduar të bëhet në Greqi.

SYNOHET DELIU – Burime pranë klubit verdheblu bëjnë me dije se drejtuesit kanë hyrë në bisedime me mesfushorin Ardit Deliu, i cili pak ditë më parë është larguar nga skuadra e Vllaznisë, pas një viti qëndrimi me kuqeblutë. Deliu është një emër i njohur për futbollin shqiptar, i cili ka përvojë si futbollist si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ai ka qenë pjesë e klubeve si Laçi, Tirana dhe Vllaznia në Kategorinë Superiore, ndërsa ka provuar edhe aventura jashtë Shqipërisë, konkretisht në kampionatin letonez me FK Liepaja, ndërsa më herët në Kroaci me Hajdukun e Splitit apo RNK Split. Me një profil të konsoliduar si mesfushor qendror, ai është vlerësuar për aftësitë në pasim, leximin e lojës dhe balancën që i jep skuadrës në fushë. Praktikisht duket si profili i futbollistit ideal që mund t’i bëjë punë elbasanasve këtë edicion.

Sipas informacioneve, Elbasani e sheh Deliun si një pjesë kyçe të projektit të ri sportiv, teksa klubi kërkon të ndërtojë një skuadër të qëndrueshme dhe konkurruese për sezonin e ardhshëm, me ambicie të qarta për të shkuar së paku në kupat e Europës. Marrëveshja mes palëve ende nuk është zyrtarizuar, por bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe sinjalet janë pozitive. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Elbasani do të sigurojë shërbimet e një mesfushori me cilësi, i cili mund të bëjë diferencën në kampionat.

LARGIMET – Siç dihet, nga ekipi i Elbasanit do të ketë edhe largime, kryesisht të atyre që u ka mbaruar kontrata. I vetmi që ka konfirmuar largimin, është mesfushori Edon Hasani, i cili qëndroi për dy sezone tek elbasanasit. Në ditët më vijim pritet që të ketë edhe zyrtarizime të tjera, pasi për momentin klubi i Elbasanit nuk ka zyrtarizuar asnjë rikonfirmim.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL