Henrik Hoxhaj ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, duke dhënë detaje për disa ngjarje të rënda kriminale.
Sipas Hoxhajt, për vrasjen e Altin Ndocit kishte një plan që, më pas, faji t’i vishej atij, duke u paraqitur sikur kishte kryer edhe vrasjet në Elbasan. Ai shtoi se, së bashku me Nuredin Dumanin, kishin planifikuar edhe vrasjen e Besmir Haxhiajt. Për këtë ngjarje, Hoxhaj deklaroi se kishte marrë 35 mijë euro, ndërsa për një rast tjetër, sipas tij, ishte ofruar shuma prej 150 mijë eurosh.
“Në biseda kemi folur për ngjarjen e Altin Ndocit dhe për një nga vëllezërit Haxhia. Arsyeja për vrasjen e Ndocit, sipas Nuredinit, ishte se ata që donin të vriteshin kërkonin t’u linin atyre ‘në kurriz’ vrasjet e Elbasanit. Për Ndocin kishte edhe një arsye tjetër, pasi ai ishte zënë me vëllain e tij, Dashin.
Plani për Ndocin dhe për vëllezërit Haxhia u vështirësua për shkak të pandemisë. Ne menduam që Ndocin ta vrisnim gjatë varrimit, duke menduar se do të shkonte për të tretat ose të shtatat, por ky plan nuk u realizua.
Më pas bëmë planin për vrasjen e Besmir Haxhiajt. Morëm tre armë automatike dhe një armë brezi. Ekzekutorë do të ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënte atentatin te një pikë bastesh, por unë nuk pranova, sepse kishte shumë njerëz. Më çoi në shtëpi dhe shkoi të fliste me shoferin që kishim, Klevisin. U kthye, më mori dhe u nisëm.
Kishim veshur rroba si të OFL-së dhe Nuredini kishte vendosur edhe maskë silikoni. Kur kaluam me makinë, pamë që objektivi ishte me vëllain. Shoferi na tha se ishte me vëllain dhe Nuredini tha se ishte më mirë që ishin bashkë.
I ndoqëm me makinë, u futëm në parakalim, pasi ata u bllokuan në trafik, dhe i qëlluam disa herë. Më pas zbriti Nuredini për t’i qëlluar nga afër, por arma iu bllokua. U detyrova të zbrisja unë me kallashnikov dhe qëllova disa herë, më pas u larguam drejt Tiranës. Makinën me armët e mori shoferi. Edhe për këtë ngjarje mora 35 mijë euro.
Pas arrestimit të shoferit u shqetësova dhe i thashë Nuredinit: ‘Kusho, çfarë do bëjmë?’, por ai më tha të mos shqetësohesha. Shoferi foli dhe lidhi Talo Çelën dhe Ndocin me ngjarjen. U çudita, por më pas e kuptova se ishte instruktuar të thoshte ashtu.
Në Elbasan lista ka qenë e gjatë, niste me Otin, Emiljanon… Për Emiljanon kemi biseduar sepse, sipas asaj që na u tha, një nga këta kishte pasur një vëlla që kishte qenë informator për ngjarjen që i kishte ndodhur Krymit. Për këtë ngjarje mu ofruan 150 mijë euro.
Unë zgjidhja vetë personat që merrja për kryerjen e atentateve, sepse ishte jeta ime dhe e dija kë përfshija. Në këtë rast përfshiva Skerdi Tasen. Informacionet i merrja nga Dumani dhe nga miqtë e Krymit.
Ditën e ngjarjes unë isha shofer, ndërsa Skerdi do të qëllonte. Ai doli me dy pistoleta. I kisha thënë që, nëse do të ikte, të mos e linte objektivin të hynte në shtëpi, por ta sillte nga ana ime. Në video, kur zbret Tase, unë ec pak përpara me makinë dhe kam mbushur automatikun për të qenë gati, por nuk pati nevojë, sepse Skerdi e realizoi.
Pas vrasjes, makinën e dogji Skerdi dhe të dy u kthyen në Tiranë. Pas 3–4 ditësh, Nuredini më solli paratë.”
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.