Në Elbasan po mbyllet një javë e qetë, e fundit përpara nisjes së përgatitjeve serioze për përballjen me Flamurtarin. Në klub ndihen dy gjëra, përqendrim dhe ambicie. Pas një merkatoje të matur, drejtuesit verdheblu kanë preferuar të ruajnë bërthamën e skuadrës dhe të shtojnë vetëm elementë që i japin cilësi dhe ekuilibër grupit. Portieri çek Martin Janaçek dhe sulmuesi izraelit Roei Ben Shimon janë dy nga afrimet që kanë krijuar menjëherë ndjesinë se këtë vit Elbasani mund të synojë më shumë sesa mbijetesën. Pa harruar as dy të rinjtë Donart Ibraimi dhe Fatjon Bunjaku. Qëllimi është që skuadra të jetë gati në aspektin fizik dhe mendor për një nisje të fortë të sezonit.
PRITSHMËRITË – Në qytet ndihen më shumë se kurrë zërat e tifozëve. Bisedat në kafenetë pranë “Elbasan Arenës” dhe rrugicat përreth kanë vetëm një temë: çfarë Elbasani do të shohim këtë vit? Pas një rikthimi të lavdishëm në elitë, pritshmëritë janë rritur natyrshëm. Tifozët nuk kënaqen më me idenë e një skuadre që lufton vetëm për të qëndruar në kategori; ata duan një ekip që guxon, që sfidon rivalët dhe që rikthen krenarinë e qytetit. Ka ende kujtime të freskëta për sezonet kur verdheblutë rivalizonin për trofe dhe stadiumi gumëzhinte në çdo ndeshje. Besimi ekziston, sidomos pasi grupi aktual duket më i konsoliduar dhe më i pjekur, ndërsa drejtuesit nuk kanë bërë eksperimente me afrime të rastësishme, por kanë zgjedhur lojtarë që përputhen me filozofinë e skuadrës.
SFIDA ME FLAMURTARIN – Përballja e parë me Flamurtarin nuk shihet thjesht si një ndeshje kalendarike. Për Elbasanin, kjo sfidë është si një kartëvizitë e sezonit të ri. Një paraqitje e denjë – qoftë edhe pa rezultat maksimal – do të shërbejë për të rritur moralin dhe për të forcuar lidhjen mes skuadrës dhe tifozëve. Nga ana tjetër, një hap fals që në nisje do të sillte menjëherë tension dhe dyshime, diçka që askush nuk dëshiron. Gvozdenoviç dhe stafi i tij e dinë se Flamurtari është një rival i fortë, me histori dhe ambicie, por nuk ka frikë në kampin verdheblu. Përkundrazi, ndeshja shihet si një mundësi për të provuar se ky Elbasan ka forcë, karakter dhe mentalitet fitues. Në qytet, heshtja e ditëve të fundit duket më shumë si qetësia para stuhisë. Tifozët janë gati të rikthehen në stadium me të njëjtin pasion që e ka bërë gjithmonë Elbasanin një qytet futbolli.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL