Gjykata e Elbasanit liroi nga paraburgimi 16 personat e arrestuar 2 ditë më parë, pasi dy kompani të ferrokromit u pezulluan për ndotje masive. Seanca nisi rreth orës 12:30 dhe vijoi me dyer të mbyllura prej disa orësh. Para trupit gjykues, e cila i konsideroi masat e arrestit në burg të paligjshme, u paraqitën 9 të huaj dhe 7 shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet, mes të cilëve edhe administratori korean, Juncheol Chung, 64 vjeç.
Operacioni u zhvillua më 14 dhjetor, kur Policia e Elbasanit ndërhyri brenda brenda ambienteve të kompanive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, të cilët e ushtronin aktivitetin te Metalurgjiku. Djegiet e mbetjeve të ferrokromit kryheshin natën, në qiell të hapur, dhe brenda ambienteve të oborrit dhe kompanisë prej të paktën 2 vitesh, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore jo vetëm pranë ish-Metalurgjikut ku ushtrohej aktiviteti, por me kilometra të tëra rreze.
Në kërkim u shpallën edhe 8 të tjerë, të cilët rezultojnë të jenë aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, te fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.