Bashkia e Elbasanit në prag të stinës së dimrit ka ndërrrmarë nisma në mbrojtje të shtresave në nevojë. Duke qenë se parashikohet një dimër i vështirë sa i përket mungesës dhe rritjes së energjisë elektrike, Bashkia e Elbasanit do të ofrojë lëndën e parë drusore për familjet me vështirësi me një çmim shumë herë më të lirë se tregu.
Kryetari i Bashkisë z.Gledian Llatja pohoi se “po bëhemi gati për një dimër të vështirë për shkak të krizës energjitike si edhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndaj bashkia e Elbasanit si bashki sociale i ka dalë pararojë problematikave, ku këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, kemi nisur një proces ndryshe.
Vitet e kaluara parcelat me dru jepeshin në ankand, këtë vit ne do ti trajtojmë vetë në të mirë të qytetarëve. E rëndësishme është që ne do të ndihmojmë 2000 familje në nevojë, më konkretisht familjet me ndihmë ekonomike, si dhe pensionistët e vetmuar në qytet, pasi për fshatin ka një trajtim tjetër”.
Gjatë një inspektimi në fushën e druve, kryebashkiaku Gledian Llatja i shoqëruar edhe nga drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit Damian Gjiknuri ka deklaruar ndër të tjera se “çdo familje në nevojë do të marrë dru me gati gjysmën e vlerës së tregut, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë por edhe për të ulur konsumin e energjisë elektrike.
Kjo është një mënyrë e mirë pasi mbajmë në kontroll edhe çmimin e tregut, si dhe është gjëja më e mirë që ne mund të bënim për këtë dimër. Ky proces kryhet pas sigurimit të druve nëpër shkolla”, tha kryebashkiaku Llatja.
Duke e cilësuar si një politikë të mirëfilltë sociale ndihmën që bashkia jep për dy grupet në nevojë, z. Gjiknuri tha se” është gjë e mirë që kjo pasuri natyrore pyjore që ka Elbasani shfrytëzohet nga vetë Bashkia, dhe u vihen në dispozicion familjeve në nevojë.
Nuk ka përfitim ekonomik nga subjektet, organizohen nga strukturat e Bashkisë, dhe shitet me çmim afër kostos dhe që mbulon të gjithë këtë operacion financiar të Bashkisë, duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në këtë moment specifik.
Situata energjitike tashmë është bërë një problem mbarë botëror, ku përfshihet edhe vendi ynë. Kjo formë alternative për momentin është shumë e mirë, ndaj mendoj që Bashkia e Elbasanit meriton përgëzime, është pioniere në këtë drejtim, pasi është Bashkia e parë në vend që e aplikon këtë gjë, dhe kjo është forma e duhur për të mirën publike.
Pasuritë e përbashkëta natyrore i vijnë në ndihmë qytetarëve, dhe këtë gjë duhet ta bëjnë të gjithë bashkitë e vendit”, tha Gjiknuri. Kishte shumë kohë që pushteti vendor kishte hequr dorë nga menaxhimi i druve të zjarrit apo i pyjeve për interesa komunale.