Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Elbasan 3, vjen lajmi i mirë për pronarët e…

Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Elbasan 3”.

Në VKM thuhet se, shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 13 475 622 (trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 475 622 (trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë e shpronësuara.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.