Ndërtimi i korridorit VIII, po avancon me shpronësimet e pronarëve që preken nga ky projekt. Agjencia Shtetërore e Shpronësimit ka shpallur kërkesën për shpronësimin, për interes publik, të 13 pasurive që preken nga ndërtimi i lotit III, pjesë e segmentit Elbasan – Qafë Thanë. Kjo kërkesë vjen pas atyre të vitit 2024, teksa vlera totale paraprake e shpronësimit llogaritet në 14 mln lekë. Ky është një segment tërësisht i ri me gjatësi 800 metra, që përfundon pas urës së re të Murrashit, teksa procesi i shpronësimit i hap rrugën vazhdimit të punimeve, duke u lidhur edhe me segmentet e tjerë nga Elbasani, drejt Qafë Thanës.
Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, ndërsa aktualisht është duke u punuar në 14 lote.
Më konkretisht në drejtimin nga Elbasani në Qafë – Thanë punohet në 8 lote me një gjatësi prej 26 km, teksa ecuria e secilit prej tyre është e ndryshme. Ndërkohë që në drejtimin Elbasan – Lekaj punohet në 6 lote të tjerë, që mbulojnë rreth 20 km, nga 40.7 km që është në total. Edhe në këto segmente ecuria e punimeve është e ndryshme, por autoritetet kanë deklaruar se punimet kryhen me lehtësi për shkak të terrenit fushor.
Pas përfundimit të punimeve ky aks do të jetë rrugë e kategorisë B, interurbane me nga 2 korsi në secilin krah, ndërsa referuar dokumenteve shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 – 140 km/orë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.