Problematika e shpronësimeve në lotin II të korridorit 8, po shkon drejt zgjidhjes, duke hapur rrugë përfundimit të punimeve. Agjencia Shtetërore e Shpronësimit ka shpallur kërkesën për shpronësimin, për interes publik, të 148 pasurive që preken nga ndërtimi në zonën e Mirakës në Librazhd, pjesë e segmentit Elbasan – Qafë Thanë, teksa vlera totale paraprake e shpronësimit llogaritet në 44.3 mln lekë.
Ndërkaq, pak ditë më parë u shpall kërkesa për shpronësim për 15 pasuri edhe për lotin III të kësaj rruge. Shpronësimet kanë qenë një nga pengesat kryesore në këtë segement, krahasa spostimit të linjave të tensionit të lartë, çka ka ngadalësuar ecurinë e punimeve dhe përfundimin sipas afateve kontraktuale.
Gjithsesi, përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë bërë me dije se brenda këtij viti parashikohet përmbyllja e punimeve në disa lote të Korridorit 8 rrugor. Në drejtimin nga Elbasani në Qafë – Thanë, përveç lotit I, që aktualisht është i përfunduar, pritet edhe përmbyllja e fazave II, III dhe V. Së bashku me të parën, këto faza përfshijnë segmentin, që nis nga Labinot – Fushë, deri në qytetin e Librazhdit.
Më specifikisht faza V parashikon ndërtimin e tunelit, teksa është e ndarë në dy segmente, njëri prej të cilëve fillon pikërisht pas urës së Murrashit, që shënon fundin e fazës III, duke bërë që 2 fazat të lidhen me njëra – tjetrën. Në drejtimin nga Elbasani në Qafë – Thanë në total janë 8 kontrata që mbulojnë një gjatësi prej 26 km dhe në lotet e tjerë punimet do të jenë në vazhdim.
Ndërkaq, brenda vitit 2026 pritet edhe përmbyllja e 6 loteve të tjerë të korridorit 8, por në drejtimin nga Elbasani – Drejt Rrogozhinës, që mbulojnë rreth 20 km, nga 40.7 km që është në total. Pas përfundimit të punimeve ky aks do të jetë rrugë e kategorisë B, interurbane me nga 2 korsi në secilin krah, ndërsa referuar dokumenteve shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 – 140 km/orë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.