Wednesday , April 16 2025

Ndahet nga jeta ish-arbitri i njohur Mentor Sopjani, reagon Duka: Humbje për komunitetin e futbollit

Një lajm i hidhur për komunitetin e futbollit. Ish-arbitri Mentor Sopjani u nda nga jeta sot në moshën 54-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë.

Sopjani ka një karrierë të spikatur për shumë vite si arbitër, ndërkohë që vazhdoi të punonte me futbollin në rolin e vëzhguesit të FSHF-së.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale i ka shprehur ngushëllimet familjes Sopjani dhe komunitetit të arbitrave për këtë humbje të parakohshme.

“Një lajm i trishtë ai i ndarjes nga jeta të Mentor Sopjanit, ish-arbitrit që dha një kontribut të vyer me vite me radhë në fushën e futbollit dhe më pas edhe jashtë saj, si vëzhgues.

Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, së afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të arbitrave që humbën një mik, një koleg, një njeri të dashur.

Prehu në paqe Mentor!”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.