Analisti Artur Zheji paralajmëron zhvillime të bujshme, teksa SPAK por edhe komisioni parlamentar janë duke hetuar për çështjen e inceneratorëve.
Zheji tha se është Ambasada Amerikane në Tiranë “sponsori” i zgjatjes së afatit të Komisionit të Inceneratorëve në Parlament, ndërsa u shpreh se personat e përfshirë “kanë lënë gjurmë të trasha”.
Pjesë nga deklarata e Zhejit në News24:
në mendoj se ne sot nuk kemi vetëm fjalë, kemi një bilanc mediokër, por e kemi. Kemi dy ministra në burg. Drejtësia nuk dënon moralisht e verbalisht si ne, duhet të provojë. Është një kryetar bashkie në burg, janë drejtorë që po hetohen, si ky i FSHZH. Nami i zi do të ndodhë, sepse këta do të detyrohen të flasin, për të ulur dënimin e tyre. Nuk besoj që Rama të mbajë të thurur gjendjen, sepse këta nuk bëjnë vetëvrasje kolektive.
Këta njerëz nuk kanë një kolonë vertebrale, që do t’i qëndrojnë Ramës besnikë. Ata do të fillojnë të flasin, sipas parimit ‘secili për vete’. Rama dje ka bërë një hap, duke thënë se është një përgjegjësi individuale. Çfarë do të ndodhë tani me këta, si do e menaxhojnë fatin e tyre? Këto para, 400 milionë euroshi, lënë shumë gjurmë, sepse kanë kaluar në bankë duke krijuar kompani guackë, për të kaluar para nga buxheti i shtetit për punë që s’janë bërë. Do dalin dhe emra të tjerë të çuditshëm. Kanë lënë gjurmë të trasha, do të kapen. Habitem për nivelin e paturpshëm për pakujdesinë e madhe, por si duket vjen ora e ngordhjes për disa.