Muzeu Etnografik i Elbasanit, një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, ka përfunduar së fundmi një proces tërësor restaurimi, i cili është përmbyllur një muaj përpara afatit të përcaktuar.
Falë mbështetjes së Bashkisë Elbasan dhe bashkëpunimit me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, ky investim i dytë madhor në muze që prej hapjes së tij në vitin 1986, ka rikthyer shkëlqimin e një prej godinave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë. Restaurimi përfshiu çatinë, çardakun, parmakët, fasadën, dritaret dhe elementë të tjerë autoktonë të banesës, gjithmonë me kujdes për të ruajtur identitetin e saj historik dhe arkitekturor.
Më 14 mars, muzeu hapi dyert për publikun me një pamje të rifreskuar dhe përmbajtje edhe më të pasur, duke i ofruar vizitorëve një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të trevës së Elbasanit.
Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Ndodhur në një banesë karakteristike të shekullit XVIII, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.
Në vizitën e tij në muzeun e restauruar, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh, se “historia dhe trashëgimia kulturore janë thesaret më të çmuara që kemi. Investimi në muze nuk është thjesht restaurim i një godine, por një rikthim dinjitoz i kujtesës dhe identitetit tonë. Ky është një obligim që i kemi brezave të ardhshëm.”
Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti.