Mushkonjat tigër të etheve tropikale mësyjnë në Evropë

Një specie pushtuese e mushkonjave është gjetur në 13 shtete të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën dhe Greqinë, ku ekspertët e lidhin zbulimin e tyre me një rritje të etheve tropikale në Evropë.

Ndryshimet klimatike po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e mushkonjave tigër, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Edhe në Paris, ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike në fund të korrikut, autoritetet i kanë monitoruar dhe e kanë kapur insektin.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka paralajmëruar se udhëtimet ndërkombëtare do ta shtojnë më tej rrezikun e më shumë shpërthimeve në Evropë.

Ajo i ka këshilluar njerëzit që të largojnë ujin e ndenjur nga kopshtet apo ballkonet, ku mund të shumohen mushkonjat dhe të përdorin rrjeta kundër mushkonjave gjatë natës.

Shqetësimi

Mushkonjat janë bërë një kërcënim në rritje në Evropë gjatë dy dekadave të fundit.

Mushkonja tigër aziatike, aedes albopictus, e cila mendohet të jetë specia më pushtuese e mushkonjave në botë, tani po përhapet në të gjithë Evropën nga ‘kampi bazë’ i saj në Evropën Jugore.

Ajo është vendosur në Austri, Bullgari, Kroaci, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Maltë, Portugali, Rumani, Slloveni dhe Spanjë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Është regjistruar edhe në Belgjikë, Qipro, Çeki, Holandë dhe Sllovaki.

Mushkonjat tigër përhapin sëmundje të tilla si ethet tropikale, chikungunya dhe virusi Zika, të cilat, deri vonë, ishin zakonisht të pranishme vetëm në disa pjesë të Afrikës, Azisë dhe Amerikës.

Një tjetër mushkonjë, aedes aegypti, e cila transmeton ethet e verdha, si dhe sëmundje të tjera, ka gjetur vend në Qipro. Ekspertët thonë se potenciali i saj për t’u përhapur në pjesë të tjera të Evropës është “shqetësues”, duke pasur parasysh preferencën e saj për pickimin e njerëzve dhe aftësinë e saj për të transmetuar sëmundje.

Ethet tropikale fillojnë me simptoma të ngjashme me gripin, por mund të bëhen serioze dhe, në disa raste, fatale.

Shpërthimet masive janë rritur vitet e fundit. Vitin e kaluar tetë incidente të infeksioneve të shumta u regjistruan në Francë, katër në Itali dhe dy në Spanjë.

Shumica e rasteve në Evropë janë të importuara – një reflektim i lëvizjes ndërkombëtare të njerëzve dhe tregtisë, me rastet e importuara që u rritën në afro 5,000 vitin e kaluar.

Por infeksionet e fituara në vend po rriten gjithashtu: 130 njerëz u prekën në 2023, nga 71 një vit më parë.

Virusi i Nilit Perëndimor, i cili gjithashtu transmetohet nga mushkonjat, tani është i pranishëm në më shumë rajone evropiane se kurrë më parë.

Një person u raportua se ishte i infektuar nga virusi në jug të Spanjës në fillim të marsit, duke theksuar se si kushtet klimatike po krijojnë një mjedis të përshtatshëm për mushkonjat edhe “shumë herët në vit”, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.