Në një intervistë të dhënë për portalin Lrt.it, trajneri i Kombëtares së Lituanisë, Edgaras Jankauskas, ka folur në lidhje me lojtarët e grumbulluar, ku pritej t’u jepej mundësia dy lojtarëve që militojnë në futbollin shqiptar: Sigitas Olberkis me Elbasanin dhe Manfredas Ruzgis, të cilët dëmtimi i la jashtë debutimit me përfaqësuesen e tyre.
Të dy lojtarët kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Sigitas Olberkis është shquar për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij me Elbasanin, ku ka treguar një lojë të sigurt në mbrojtje dhe është bërë një nga shtyllat e ekipit.
Ndërsa Manfredas Ruzgis, i cili ka kontribuar ndjeshëm me Vlorën, ka treguar aftësi të jashtëzakonshme sulmuese. Kontributi i tyre në kampionatin shqiptar ka qenë i dukshëm, duke ndihmuar ekipet të arrijnë rezultate të rëndësishme dhe duke lënë një shenjë pozitive tek tifozët.
“Manfredas Ruzgis ka thyer këmbën, Matas Vareika dhe Vykintas Slivka kanë dëmtuar muskujt e pasmë, Pijus Sirvys i është bërë operacioni i apendiksit. Mbrëmë mora lajmin nga Kipras Kazukolovas, diçka ndodhi me ligamente të gjurit.
Donim t’i jepnim mundësinë Sigitas Olberkis, i cili u adaptua me sukses në ligën më të lartë të Shqipërisë, por në fund të ndeshjes së raundit të parë ai gjithashtu pësoi dëmtim në gju. E njëjta gjë me Deividas Sesplaukis, që do të mungojë deri në nëntor.
Edhe ata lojtarë që janë të shëndetshëm, kanë pak minuta loje. Situata është vërtet e vështirë, por dua të shikoj gjithçka nga ana pozitive, sepse këto mungesa janë mundësi për lojtarët e rinj dhe të rinjtë që të tregojnë veten”, u shpreh ndër të tjera tekniku.
PANORAMASPORT.AL