Moti i keq/ Situata në Qarkun Elbasan drejt përmirësimit, akset rrugore të hapura dhe pa probleme madhore

Në Qarkun e Elbasanit, që prej orëve të pasdites së djeshme dhe gjatë natës, reshjet e shiut kanë pushuar, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të situatës. Sipas raportimeve më të fundit, gjendja e mëngjesit të sotëm deri në këto momente paraqitet e qetë dhe pa problematika, në krahasim me ditën e djeshme.

Në akset rrugore nacionale është hedhur kripë në segmentet ku krijohen ngrica, ndërsa të gjitha rrugët janë të hapura për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, në disa zona malore qarkullimi vijon me kufizime. Në Bashkinë Elbasan, akset që të çojnë drejt Zavalinës në Njësinë Administrative Gjinar dhe Qafës në Njësinë Administrative Labinot Mal, qarkullimi kryhet vetëm me përdorimin e zinxhirëve. Po ashtu, në Bashkinë Gramsh, në disa njësi administrative si Lenie, Porocan dhe Kukur, automjetet duhet të pajisen me zinxhirë.

Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin janë më të vogla, por mbeten mbi mesataren e tij, pa paraqitur rrezik apo probleme. Në gjendje normale janë edhe përroi i Zaranikës dhe ai i Paprit.

Problematika vijon të evidentohen në furnizimin me energji elektrike. Mungesa e energjisë raportohet në fidrin Klos Mollas në Bashkinë Cërrik, në Njësinë Administrative Polis në Bashkinë Librazhd, si dhe në disa zona malore të Bashkisë Gramsh, konkretisht në Kukur dhe Cërujë. Si pasojë e një defekti teknik, pa energji elektrike ka mbetur edhe një lagje në qytetin e Elbasanit.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat ku qarkullimi kryhet me zinxhirë, deri në stabilizimin e plotë të kushteve atmosferike.