Moti i keq shemb segmentin e projektit të motorsportit në Elbasan, reagim i menjëhershëm nga kompania zbatuese

Shembet një pjesë e pistës së rrugës që parashikohet të shërbejë për Auto Moto Park Albania, projekti i madh i motorsportit në Elbasan. Reshjet e dendura të shiut këtë vit dhe prurjet e lumit Shkumbin duket se kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e rrugës.

Punimet për ndërtimin e këtij autoparku, një kompleks ndërkombëtar motorsporti që pritet të përfshijë një pistë Grand Prix prej rreth 5.3 km dhe të jetë gati deri në vitin 2026, kanë përfshirë edhe investime të konsiderueshme në infrastrukturën përreth, përfshirë lidhjet rrugore aksesore. Projekti synon ta bëjë Elbasanin një qendër të garave automobilistike në rajon, duke përfshirë mundësinë e organizimit të eventeve të mëdha sportive në të ardhmen, përfshirë garat e gradës FIA.

Menjëherë pas deklaratave publike, ka ardhur reagimi zyrtar nga Bashkimi i Operatoreve Ekonomike Blerimi shpk dhe Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan sh.a., përmes inxhinierit të kompanisë zbatuese.

Sipas tyre:

• Objekti në fjalë nuk është Automotoparku, por rruga e aksesit që lidh automotoparkun me Ura e Lizës.

• Bëhet fjalë për një aks të ri, ende në zbatim, brenda afateve kontraktuale.

• Rruga nuk është vënë në shfrytëzim dhe nuk ka bllokim qarkullimi, pasi është e papërfunduar.

Sipas sqarimit teknik, rrëshqitja ka ndodhur në një pjesë të trupit të rrugës të vendosur në gërmim, zonë ku sipas projektit fillestar nuk ishte parashikuar masë mbrojtëse, pikërisht sepse segmenti është ende në proces ndërtimi.

“Kemi bërë konsultimet e nevojshme me inxhinierët e investitorit dhe të bashkisë dhe do të marrim masat për mbrojtjen dhe sistemimin e asaj pjese brenda afateve të kontratës,” – thuhet në reagimin zyrtar.