Friday , December 9 2022

“Mos tentoni të vini në Tiranë të mërkurën”, Bledi Çuçi përsërit apelin për qytetarët: Bizneset private ta bëjnë pushim

Finalja e Conference League (Roma vs Feyenoord) në 25 maj në Tirana, ka bërë që Policia e Shtetit të marrë masa specifike për këtë event. Nga qarkullimi dhe siguria, apo mos lejimi i hyrjes në kryeqytet për shqiptarët që nuk e kanë një biletë, këto janë masat që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka cekur në një komunikim për mediet, pas takimit me krerët e policisë në vend.

“Kishim një takim me drejtuesit kryesor të policisë, në lidhje me festën që ka Tirana në datën 25 me rastin e finales së Conference League. Jemi këtu për të kthyer atë ditë në festë. Po parashikojmë çdo gjë në detaje, që mos cënohet askush këto ditë. Dua të bëj thirrje për shqiptarët që nuk janë në Tiranë dhe nuk kanë biletë për në stadium, mos tentojnë të vijë atë ditë në kryeqytet, pasi Tirana do jetë në dispozicion të miqve nga Roma dhe Roterdami dhe tifozëve që kanë biletë, për të shijuar ndeshjen në stadium.

Edhe bizneset që s’kanë lidhje me finalen, siç janë bankat apo zyrtat e ndryshme private, që siç bëmë me shkollat dhe institucionet publike ditë pushimi të mërkurën, ta bëjnë edhe ata. Do jetë e paralizuar për qarkullimin e mjeteve e gjithë Tirana.

Çdo mik që vjen nga jashtë, do ketë kanalet e hapura të rrugëve për të aksesuar kryeqytetin. Kemi bashkëpunuar me FSHF, UEFA, Bashkinë dhe policinë, që e marta dhe e mërkura të kthehen në ditë feste të vëretë, që mos cënohet asnjë nga sportdashësit.

Në Tiranë mos hajdeni pa një biletë, do lëvizin vetëm ata me biletë dhe vendasit që janë këtu. Dekurajoj gjithë shqiptarët e tjerë që të mërkurën mos udhëtojnë në Tiranë, sepse do jetë në dispozicion të miqve në radhë të parë dhe atyre që kanë biletë.

Huliganët – Kemi kohë që punojmë me palët nga Hollanda dhe Italia, kemi disa ekipe policësh këtu nga ta. Nuk mund të ndalojmë njerëz, por do ndalojmë çdo nxitës dhune, që situata mos degradojë. Pjesë e ekipit tonë janë njerëz nga Roma dhe Roterdami”, tha Çuçi mes të tjerash.

Advertisement