Mjeku shqiptar publikon faturën ‘e çmendur’ se sa arrin vlera e një analize që duhet të kryejë një qytetar i dyshuar me koronavirus

Mjeku i njohur epidemiolog, Erion Dasho ka bërë një reagim në rrjetin social ‘Facebook’ teksa tregon faturën që ka bërë një pacient i dyshuar me Covid-19 dhe vlera arrin në 25 mijë lekë të reja. Dasho e cilëson si skandal faktin që 6 mijë lekë janë vetëm analiza që nuk kanë asnjë lidhje me koronavirusin. Në reagimin e tij, Dasho i bën thirrje Komitetit të Ekspertëve të miratojnë protokoll për analizat që duhet të kryhen, në të kundërt do vazhdojnë “rrjepjet” nga ata që i cilëson spekulantë.

Reagimi i plotë i Erion Dashos:

NJË FATURË PËR KOMITETIN/

(DHE NJË MESAZH PËR SPEKULANTËT)

Kjo faturë ka qarkulluar sot në rrjetet sociale. Pacienti (ose ndoshta qytetari, sepse mund të jetë fare mirë një person asimptomatik) ka paguar gati 25,000 lekë për një kompleks testesh laboratorike që nis me tamponin (të cilin duhet ta përfitonte falas në bazë të ligjit të sëmundjeve infektive) dhe përfundon me testin e Vitaminës D (të cilin një mashtrues e ka shtuar sa “për garniturë”)!!!

Skandali më i madh është se gati 6,000 lekë analiza (një e katërta e faturës) nuk ka asnjë lidhje me COVID-in dhe i është ofruar kot qytetarit!!!

Komitetsa!

Në se ju nuk miratoni protokolle, njerëzit vazhdojnë të bëhen pre e rrjepjes nga spekulantët. Në se ju nuk aktivizoni mjekët e familjes dhe spitalet rajonale, njerëzit e mbetur në mëshirën e virusit përfundojnë herët e vonë në rrjetën e spekulantëve!

Spekulantë!

Nuk u ngopët me marzhet e fitimit tek testet për COVID që nisin nga 60-70% e përfundojnë në 1000% apo më shumë??!! Pse duhet të detyroni një person të tmerruar të paguajë 3,500 lekë për testin e Vitaminës D?! Cili mjek e ka rekomanduar?!

Pse çmimet tuaja janë ndërtuar në mënyrë kaq mashtruese duke përfunduar me 98 dhe 99??!! Po ofroni shërbime shëndetësore apo po shisni të brendshme me okazion në internet??!! Nuk ju vjen zor nga kjo listë mashtruese çmimesh??!!

Këto lojëra duhet të përfundojnë sa më parë! Në se qeveria, ministria dhe komiteti as ofrojnë shërbime dhe as mbrojnë pacientët nga spekulantët në kulmin e epidemisë, përse duhen ata??!