Kita Sallabanda është një mjek shqiptar që lufton në vijën e parë kundër koronavirusit në Spanjë. Në një lidhje me Skype, Sallabanda thotë per TemA TV se situata atje është mjaft e rëndë, megjithatë po vihet re një ulje e numrit të personave që infektohen. “87% e të sëmurëve që kanë ndërruar jetë janë mbi 70 vjeç. Bëhet një seleksion natyral, deri tani ne nuk kemi bërë zgjedhje të tillë. Megjithëse jemi në kufirin e respiratorëve, nuk ka mbetur njeri të mos e ketë.
Kemi parë se Covid-19 shpërthen te një njeri një reaksion inflamator shumë të fuqishëm. Kjo është arsyeja pse kemi pasur vdekje në mosha të reja”.
Ai flet edhe për terapitë që po aplikohen te të sëmurët, që sipas tij duken mjaft shpresëdhënëse. “Po bëhet një studim eksperimental në Spanjë, është nga OBSH-ja, me plazmën e atyre që kanë qenë të sëmurë, për t’ua injektuar pacientëve të shëndoshëve për mbrojtje.
Po ndjekim edhe trajtimin me imunosupresorë dhe trajtimin me deksametazon. Ky kompleks që kemi bërë duket se po jep rezulttat dhe po rritet numri i të shëruarve, janë shëruar 14 709 të sëmurë. Unë mendoj se ne nuk morëm masa në kohën e duhur.
U lejuan të bëhen grumbullime masive. Në Spanjë patëm tre bomba biologjike: një ka qenë ndeshja Valencia-Atalanta, kongresi i një partie të madhe politike dhe manifestimet e 8 Marsit. Të gjithë pjesëtarët e qeverisë që morën pjesë p.sh. në manifestimet e 8 Marsit rezultuan të sëmurë”, tha ai.