Në mbledhjen e zhvilluar në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Kuvend, është miratuar projektligji “Për Gjuetinë”, i cili i jep fund një periudhe mbi 10-vjeçare ndalim të plotë dhe hap rrugën për një model të ri ligjor, të bazuar te menaxhimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e biodiversitetit.
Kuadri i ri parashikon që Bashkia Elbasan dhe të gjitha bashkitë në vend të kenë rol thelbësor në administrimin e Zonave të Gjuetisë, duke u shndërruar në aktorë kryesorë për mbikëqyrjen dhe ruajtjen e faunës së egër në territor.
Ligji gjithashtu parashikon:
Angazhimin në terren të Menaxhuesve të dedikuar, përgjegjës për zbatimin e rregullave dhe mbrojtjen e ekuilibrave natyrorë,
Orientimin drejt një modeli europian, ku fauna trajtohet si aset kombëtar që kërkon mbrojtje, jo shfrytëzim pa kontroll.
Lidhur me këtë zhvillim, Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e menaxhimit lokal të burimeve natyrore. Ai u shpreh:
“Ky ligj i ri i hap rrugë administrimit të përgjegjshëm të zonave të gjuetisë, duke forcuar rolin e bashkive në mbrojtjen e faunës së egër. Për ne si pushtet vendor, biodiversiteti nuk është thjesht pasuri – është përgjegjësi për ta ruajtur për brezat që vijnë dhe për ta menaxhuar me standarde moderne europiane,” – deklaroi Llatja.
Miratimi i projektligjit konsiderohet një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund kaosit në terren dhe për të garantuar një marrëdhënie të shëndetshme mes njeriut dhe natyrës, ku mbrojtja e biodiversitetit vihet mbi keqmenaxhimin dhe shfrytëzimin e pakontrolluar.
Shqipëria tashmë orienton politikat e saj drejt një menaxhimi të qëndrueshëm të natyrës, në përputhje me praktikat më të mira europiane.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.