Një ilaç i ri kundër malaries, i pari i formuluar posaçërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, është miratuar për përdorim dhe pritet të nisë shpërndarjen në vendet afrikane brenda disa javësh.
Deri më tani, nuk ka pasur ilaçe të miratuara posaçërisht për këtë grupmoshë. Foshnjat janë trajtuar me doza të përshtatura të ilaçeve për fëmijë më të rritur, gjë që rriste rrezikun e mbidozës dhe efekteve anësore, pasi organizmat e tyre e përpunojnë ndryshe medikamentin.
Sipas të dhënave më të fundit, në vitin 2023 malaria shkaktoi rreth 597.000 vdekje në mbarë botën, gati 75% e tyre ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç, shumica në Afrikë.
Ilaçi i ri, i quajtur Coartem Baby është zhvilluar nga kompania Novartis në bashkëpunim me organizatën jofitimprurëse Medicines for Malaria Venture (MMV). Ai është miratuar nga autoritetet zvicerane dhe pritet të përdoret fillimisht në tetë vende afrikane, të cilat morën pjesë në testime.
“Pas më shumë se tre dekadash pune kundër malaries, jemi krenarë që kemi arritur të zhvillojmë trajtimin e parë të provuar klinikisht për të sapolindurit dhe foshnjat e vegjël. Kjo do të thotë që edhe më të vegjlit dhe më të pambrojturit mund të marrin kujdesin që meritojnë“, deklaroi kreu ekzekutiv i Novartis, Vas Narasimhan.
Nga ana tjetër, drejtori i MMV, Martin Fitchet, tha se miratimi i këtij ilaçi është një hap i rëndësishëm drejt zhdukjes së malaries. “Malaria është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse, veçanërisht te fëmijët. Por me burimet dhe përqendrimin e duhur, ajo mund të eliminohet“, tha ai.
Dr. Marvelle Brown nga Universiteti i Hertfordshire theksoi se kjo është një arritje madhore për shëndetin publik.
“Foshnjat me sistem imunitar të dobët, veçanërisht ato me sëmundje si anemia drepanocitare (sëmundja e qelizave në formë drapëri), janë në rrezik më të lartë. Trajtimi i ri mund të shpëtojë shumë jetë, dhe fakti që Novartis e ofron me bazë jofitimprurëse ndihmon në uljen e pabarazive në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor“, u shpreh ai.
Top Channel