Ditën e sotme Kuvendi pritet të nisë diskutimet maratonë për projektbuxhetin e vitit 2025, ndërsa opozita do të jetë pjesë e diskutimeve, por jo e miratimit.
Në ditën e miratimit, konkretisht të martën, opozita do të protestojë me qytetarët kundër buxhetit.
Gjatë një konference me gazetarët disa ditë më parë, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se opozita do të shfrytezojë çdo hapësirë kundër këtij buxheti i cili sipas tij i shërben vetëm një grupi të vogël që janë klientë të qeverisë.
“Do të ketë mobilitet, brenda dhe jashtë parlamentit. Qëllimi ynë është të miratohet amendamenti që vendos minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, apo që nuk merr asgjë”, tha kryedemokrati.
Sipas kryetarit të PD, qytetarët nuk përfitojnë nga rritja ekonomike për shkak të abuzimit të qeverisë me taksat e shqiptarëve.
Buxheti i vitit 2025
Buxheti i shtetit për vitin 2025 kap shifrën 8.2 miliard euro, duke u konsideruar si më i madhi ndër vite.
Qeveria ka zyrtarizuar shifrat për projektligjin më të rëndësishëm, i cili vë në shina ekonominë e një vendi.
Referuar të dhënave zyrtare totali i shpenzimeve llogaritet në 822 miliard lekë ose 50 miliard më shumë se buxheti aktual i rishikuar.
Ndërsa totali i të ardhurave arrin në 750 miliard lekë.
Zëri që mund të konsiderohet si një rekord historik, është ai i investimeve publike me plot 161 miliardë lekë.
Referuar dokumentit, fondet do të fokusohen më së shumti në infrastrukturën rrugore.
Tre janë kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde në infrastrukturën rrugore:
Kontrata e koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit
Kontrata e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot – Morinë
Kontrata e koncesionit për ndërtimin e rrugës Orikum – Dukat, By-Pass-Porti i Jahteve
Ndërkohë që janë 11 projekte rrugore dhe hekurudhore që do të financohen:
Elbasan – Lekaj
By Pass i Elbasanit
Elbasan – Qafë Thanë
Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës
Berat – Ballaban;
Projekti i përmirësimit dhe rehabilitimit të urave me kredi të Bankës Botërore
Aeroporti i Vlorës (PPP)
Porti i Ri Porto Romano – Durrës
Porti i Triportit – Vlorë (PPP)
Hekurudha Tiranë-Durrës dhe Tiranë – Rinas
Hekurudha Vorë – Hani i Hotit
Sa i përket mbledhjes së të ardhurave, ato duket se do përqendrohen në miradministrim, pasi nuk ka parashikime për politika të reja fiskale.
Tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimi do të mbajnë dhe peshën kryesore në të ardhura, por një kapërcim në rritje pritet të vijë dhe nga taksa e ndërtesës në të gjithë vendin, për shkak të çmimeve të reja të referencës që do të aplikohen.
Qeveria ka parashikuar fondet për indeksim dhe për bonusin e pensionistëve për vitin që vjen.
Por shifrat e parashikuara nuk reflektojnë ende ndonjë politikë të re, që mund të aplikohet sa i përket rritjes së pensioneve.
Nuk parashikohet politikë e re për rritjen e pagave./vizionplus.tv