Ministrja e Shëndetësisë inspekton punimet në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan

Në kantierin e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi”, në Elbasan, po vijojnë punimet për ndërtimin e dy godinave të reja, të cilat do të rrisin ndjeshëm kapacitetet dhe do të ofrojnë shërbime të specializuara, trajtim të sigurt dhe ambiente moderne në kushte dinjitoze për çdo pacient.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve, duke u njohur me fazat e projektit dhe standardet që po aplikohen në ndërtimin e godinave të reja. Gjatë vizitës, ministrja theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe garantimin e kujdesit cilësor për pacientët.

Ky investim konsiderohet i një rëndësie të veçantë, pasi Spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi” nuk u shërben vetëm qytetarëve të Elbasanit, por mbulon një territor më të gjerë, duke përfshirë edhe qarkun e Korçës, Pogradecin dhe zonën juglindore të vendit. Me zgjerimin e kapaciteteve dhe krijimin e ambienteve moderne, pritet të rritet cilësia e trajtimit dhe aksesit në shërbime të specializuara për një numër më të madh pacientësh.

Godinat e reja do të pajisen me infrastrukturë bashkëkohore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor, me synim rritjen e efikasitetit të shërbimeve dhe përmirësimin e mirëqenies së pacientëve.

Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se ky projekt është pjesë e investimeve strategjike për modernizimin e spitaleve psikiatrike në vend dhe forcimin e rrjetit të shëndetit mendor, duke e kthyer Spitalin “Sadik Dinçi” në një qendër referimi për rajonin juglindor të Shqipërisë. Echoss Newss