Merxha: Ëndrra e Elbasanit po bëhet realitet, ju tregoj çelësin e suksesit

Rikthimi i Elbasanit në majën e renditjes ka ndezur sërish atmosferën sportive në qytetin që jeton me futbollin. Një skuadër që po bind me lojë, rezultat dhe profesionalizëm, ka bërë që tifozët të ndjejnë krenarinë e munguar prej shumë vitesh. Për këtë, ish-futbollisti dhe trajneri elbasanas, Eriol Merxha, që mbetet një zë i respektuar në ambientin sportiv të qytetit, vlerëson punën e madhe që është bërë dhe frymën e re që është krijuar në klub.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet i kënaqur për ecurinë, duke analizuar ndryshimin që ka përfshirë çdo aspekt të Elbasanit. Në fillim, Merxha ndalet te elementi më i rëndësishëm që sipas tij ka bërë diferencën këtë sezon, qetësia dhe stabiliteti brenda skuadrës.

”Jemi shumë të kënaqur me ecurinë e ekipit. Më pëlqen mënyra si po punon stafi teknik, mënyra si po reagon skuadra në çdo ndeshje. Ekipi ka gjetur qetësinë dhe besimin te vetja, që janë dy shtyllat kryesore të suksesit. Kjo qetësi po reflektohet edhe në fushë, lojtarët tashmë janë më të lirshëm, luajnë me ide dhe me vetëbesim. Cilësia e lojës është rritur dukshëm dhe nuk është aspak rastësi që ndodhemi në krye të renditjes. Kemi stabilitet në rezultate dhe kjo tregon për një grup që di çfarë kërkon”, deklaron Merxha me bindje.

EMOCIONET – Në vazhdim, ish-trajneri i Elbasanit ndalet te atmosfera që është krijuar në qytet dhe në stadium, duke e përshkruar si një rilindje të vërtetë emocionale për sportdashësit elbasanas. “Të them të drejtën, këto emocione na kishin munguar prej shumë kohësh. Elbasani është një qytet me traditë në futboll, me tifozë që jetojnë për këtë skuadër dhe sot i sheh sërish të mbledhur, të gëzuar, të bashkuar. Çdo ndeshje është kthyer në festë, pavarësisht rezultatit. Ekipi po ndeshet me skuadrat më të forta të kampionatit, dhe jo vetëm që nuk dorëzohet, por shpesh del fitues. Kjo frymë, ky entuziazëm që ndjehet në rrugë e në tribuna, tregon më shumë se çdo rezultat, tregon se Elbasani është rikthyer aty ku duhet, mes më të mirëve”, vijoi më tej ish kapiteni elbasanas.

VIZIONI – Në një moment reflektimi, Merxha thekson me shumë respekt rolin e drejtuesve aktualë të klubit, të cilët sipas tij kanë qenë faktor vendimtar në ngritjen e projektit. “Duhet t’u japim meritën që u takon: drejtuesit e këtij klubi kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Kanë vendosur standarde të reja në mënyrën e menaxhimit, kanë sjellë qetësi, seriozitet dhe kanë krijuar kushtet e duhura për sukses. Pa mbështetjen e tyre financiare dhe organizative, kjo skuadër nuk do ishte këtu ku është sot. Është kënaqësi kur sheh që dikush investon me pasion, me dashuri për qytetin dhe për fanellën. Ata kanë bërë realitet ëndrrën që Elbasani të ringrihej dhe të kthehej sërish në elite”, nënvizon ai.

Duke folur për ndryshimet konkrete, Merxha veçon përmirësimin e ndjeshëm të kushteve që klubi ofron sot.

“Nëse dikush do të shihte sot bazën e Elbasanit dhe ta krahasonte me disa vite më parë, do e kuptonte menjëherë diferencën e madhe. Terrenet sportive janë modernizuar, infrastruktura është përmirësuar, ndërsa hoteleria është ndër më të mirat në Shqipëri. Kjo tregon që gjithçka është menduar me profesionalizëm dhe me vizion afatgjatë. Këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt në performancën e lojtarëve, ata ndihen të vlerësuar dhe kanë çdo gjë për të dhënë maksimumin në fushë. E them me bindje që Elbasani sot është një nga klubet më serioze dhe më të mirëorganizuar në vend”, thekson Merxha.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL