Pavarësisht se Elbasani nuk mori dot pjesë në “Final 4”, sërish sezoni mund të quhet pozitiv, sepse ishte deri në fund rivalizues dhe për pak mund të ishte pjesë e kupave të Europës. Në saj të vitit pozitiv, përgjatë kampionatit kishte edhe disa lojtarë që spikatën mbi të tjerët dhe u vunë në “shënjestrën” e skuadrave të huaja. Duhet thënë se deri më tani, elbasanasit nuk kanë arritur të shesin asnjë lojtar dhe të përfitojnë prej tyre, por ndoshta pas një viti në Superiore ka ardhur koha që verdheblutë të nisin të përfitojnë ekonomikisht edhe në këtë aspekt. Mësohet se për dy prej tyre ka pasur edhe oferta konkrete në adresë të klubit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Bledar Lila dhe sulmuesin Arsen Lleshin, dy prej lojtarëve më të spikatur dhe që kanë mbajtur një peshë jo të vogël mbi supe edicionin që sapo lamë pas. Duke qenë se ata tani janë në kulmin e tyre dhe me moshë relativisht të re, ka bërë që të shihet si “bonus” nga ana e ekipeve të interesuara.
LILA – Peqinasi ka qenë titullar stabël në krahun e djathtë të mbrojtjes së Elbasanit, duke rënë në sy me shpërthimet e tij dhe asistet e dhëna për shokët e skuadrës. Sakaq, ka shënuar edhe një gol për verdheblutë. Kanë qenë pikërisht këto paraqitje të tij që kanë tërhequr vëmendjen e menaxherëve të huaj, të cilët kanë kërkuar informacion pranë klubit rreth mundësisë së një shitjeje të tij. Për momentin, klubi nuk i ka vendosur çmim dhe ka refuzuar të shesë 24-vjeçarin, edhe pse nuk dihet se për sa kohë mund të rezistojë. Drejtuesit e shohin si një pikë kyçe në ekip dhe aktualisht ai do të vijojë të jetë pjesë e elbasanasve.
LLESHI – Nëse nuk do të ishte dëmtuar në kulmin e tij, “radha” për të marrë shërbimet e tij në verë do të ishte e gjatë. Arsen Lleshi e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i skuadrës me 7 gola në 14 ndeshje. 25-vjeçari ngjalli interesimin e shumë ekipeve të huaja në merkaton e janarit, por duket se të njëjtat kërkesa po vijnë edhe tani me hapjen e merkatos së verës. Edhe për të, Elbasani po mbahet fort, sepse e shohin si lojtarin që do t’i garantojë golat për sezonin e ardhshëm në Superiore. Vetëm në rast të ndonjë oferte të parezistueshme, mund të binin dakord për ta lënë të lirë sulmuesin e tyre. Gjatë sezonit të kaluar, verdheblutë investuan jo pak në afrimin e lojtarëve që do t’i garantonin golat, por ato i erdhën pikërisht nga futbollisti i tyre.
PANORAMASPORT.AL