Parku Kombëtar i Shebenikut është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare, teksa media prestigjioze BBC i ka kushtuar një artikull të posaçëm këtij territori unik natyror, duke e cilësuar si një zonë kyçe për ruajtjen e biodiversitetit ndërkufitar në Ballkan.
Në shkrimin e saj, BBC ndalet te vlerat e jashtëzakonshme natyrore të Shebenikut, i cili shtrihet përgjatë kufirit Shqipëri–Maqedoni e Veriut dhe përbën një korridor jetik ekologjik për shumë specie të rralla. Veçanërisht, theksohet roli i parkut në mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit, një nga gjitarët më të rrezikuar në Evropë, simbol i biodiversitetit dhe i përpjekjeve për ruajtjen e faunës së egër.
Artikulli nënvizon gjithashtu kontributin e Prespa Ohrid Nature Trust (PONT), i cili përmes projekteve të qëndrueshme ka mbështetur komunitetet lokale, veçanërisht barinjtë, duke harmonizuar ruajtjen e natyrës me jetesën tradicionale. Ky model bashkëpunimi shihet si një shembull suksesi se si mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi lokal mund të ecin paralelisht.
Vlerësimi i BBC-së për Parkun Kombëtar Shebenik përforcon statusin e tij si një pasuri me rëndësi ndërkombëtare, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Ky artikull shërben si një thirrje e fortë për vijimin e partneriteteve dhe investimeve në ruajtjen e natyrës, duke e pozicionuar Shebenikun si një model të mbrojtjes së trashëgimisë natyrore për brezat e ardhshëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.