Qoftë ski apo banjo dielli, ekspertët e udhëtimeve kanë përzgjedhur disa nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2025, nga Spanja në Shqipëri shkruhet në një artikull në të përditshmen britanike “Independent”.
Ende duke u rikuperuar nga inflacioni i lartë i vitit, shumica e turistëve dëshirojnë të kursejnë gjatë muajve të parë të vitit 2025, megjithëse sytë i kanë te pushimet. Ideja më e mirë do të ishte të shkëmbenit destinacionet e famshme të pushimeve me kërkesë të lartë me vendet më pak të njohura dhe më të lira. Për fat të mirë, ekzistojnë shumë opsione për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa kompromentuar rrezet e diellit apo cilësinë e përvojave.
Pesë destinacionet me çmime të përballueshme janë: Shqipëria; El Gouna, Egjipt; Galicia, Spanjë; Voss, Norvegji; Bosnjë-Hercegovinë.
Destinacioni më i mirë për aventura: Shqipëria
Ndërsa jeni duke shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke vështruar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra bruz, Shqipëria mund të ngatërrohet lehtësisht me fqinjën e saj elegante përtej detit Adriatik. Por, në krahasim me Italinë, plazhet shqiptare janë më të qeta, pikat e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.
“Contiki” operatori i parë turistik i të rinjve i specializuar në udhëtime për moshat 18-35-vjeç ofron një turne në të gjithë vendin ballkanik. Ju mund të njiheni me të kaluarën e kryeqytetit, Tiranës përmes arkitekturës otomane, fashiste dhe sovjetike. Gjithashtu, vendi mesdhetar ofron shtigje ecjeje në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe plazhe magjepsëse përgjatë Rivierës Shqiptare. Një udhëtim tetëditor kushton 1025 paund për person, duke përjashtuar fluturimet./ Independent