“Me mbështetjen e tifozëve e mundim Dinamon”, Kacollja do titullin në Elbasan: Garë e fortë, por ia dalim

Elbasani nuk arriti më shumë sesa një barazim në duelin me Egnatian, rezultat që gjithsesi i dha mundësinë të qëndrojë sërish në krye të renditjes me pikë të barabarta me Vllazninë. Një fitore do t’i siguronte vendin e parë të vetëm, por duke parë rrjedhën e ndeshjes, edhe një pikë konsiderohet pozitive. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i verdhebluve, Mardian Kacollja, analizoi këtë përballje. Sipas tij, episodi i kartonit të kuq për sulmuesin Boje në startin e sfidës ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e lojës.

“Normalisht ndeshja, ashtu siç pritej, ishte shumë e luftuar, por pati disa episode, si kartoni i kuq i Bojes, që në njëfarë mënyre solli një zbehje të lojës. Nëse ai do të ishte në fushë, mendoj se do të dilnim me fitore, e cila do të na shërbente shumë, sidomos duke parë që edhe Vllaznia nuk fitoi ndaj Dinamos. Një fitore do të na jepte një shtysë shumë më të madhe, por ashtu si shkoi ndeshja, edhe barazimi është një rezultat i mirë”, u shpreh fillimisht ish-mbrojtësi.

TITULLI Duke u ndalur te gara për titullin kampion, Kacollja thekson se konkurrenca është e fortë, por Elbasani ka potencialin për të shkuar deri në fund. “Garën për titull e shoh shumë të fortë, duke qenë se Vllaznia ka një ekip të konsoliduar me lojtarë shumë cilësorë. Megjithatë, edhe Elbasani ka një grup shumë të mirë, duke nisur nga trajneri që po bën një punë të shkëlqyer dhe drejtuesit gjithashtu. Besoj se me këtë grup dhe me cilësitë që kemi, do t’ia arrijmë të shpallemi kampionë. Kjo është dëshira jonë më e madhe dhe do të luftojmë deri në fund”, vijoi ai.

DINAMO Në prag të sfidës së radhës pas pushimit për ndeshjet e Kombëtares, Elbasani do të përballet me Dinamon. Kacollja e vlerëson këtë kundërshtar, por mbetet optimist. “Dinamo është një ekip që luan futboll të bukur. E kam ndjekur dhe ka disa elementë shumë cilësorë, si dhe një trajner shumë të mirë, ndër më të mirët në kampionatin tonë. Megjithatë, me grupin dhe frymën që kemi në skuadër, besoj se do t’ia dalim me sukses. Synimi është ta mposhtim Dinamon, ashtu siç kemi bërë edhe më parë në Elbasan, me lojë të bukur dhe me mbështetjen e tifozëve tanë të mrekullueshëm”, përfundoi ai. Aktualisht, Elbasani ndodhet në një pozicion komod në renditje, duke ndarë kreun me Vllazninë, ndërsa ambiciet për titullin kampion sa vijnë dhe rriten.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL